E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasnecët e Edi Ramës, në protestë që gjykatat të kalojnë nën varësinë e Komitetit të Partisë së tij

10-02-2013 / Gazeta 55

Një protestë e stilit sovjetik u mbajt dje para Gjykatës së Tiranës, prej mercenarësh që veprojnë sipas një kalendari të vjetër politik, që në Evropë është zhdukur që në vitet ’30. Protestat haxhiqamiliste po rigjallërohen sot në Shqipëri, veç prej agjendës bolshevike të kreut të PS-së

Institucionet e pavarura në vend janë çuditërisht nën një presion jo demokratik nga ana e opozitës dhe jo qeverisë. Partia Socialiste sulmoi dje sistemin e drejtësisë nëpërmjet shtojcave të saj, organizata “Mjaft” dhe disa përfaqësues të kamufluar të “shoqërisë civile”, ku për 30 minuta dhjetëra persona të frymëzuar gjerësisht me premtime pushteti dhe futjen në listën e deputetëve të PS u tubuan në shenjë proteste përpara Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Tiranës për lirimin e gardistëve të dyshuar për ngjarjet e 21 janarit. Përfaqësues të kësaj proteste përpara kamerave hodhën parulla radikale kundrejt sistemit të gjyqësor dhe gjykatësve duke i “quajtur kukulla në duart e një aktori”. Organizatori i kësaj proteste, një ish-instruktor i Partisë në repartin e Zall-Herrit, deklaroi me një gjuhë bolshevike se duhej “çlirimi nga metastazat e pushtetit berishist”. Ky ish-komisar politik në repartet ushtarake që dje u fliste për rolin e Partisë në ushtri dhe ideologjinë e marksizëm-leninizmit, ka arritur në regjimin demokratik të infiltrohet në “shoqërinë civile” për të folur për rolin e lirisë në gjyqësor, edhe pse në nënvetëdije dëshiron që gjykatat të jenë nën varësinë e Komitetit të Partisë.
Megjithatë kjo një protestë në stilit sovjetik, e cila vepron sipas një kalendari të vjetër politik, që në Evropë është zhdukur që në vitet ’30, po rigjallërohet sot në Shqipëri, veç prej agjendës bolshevike të kreut të PS-së. Edi Rama me kryefjalitë e tij duket sikur është në opozitë me shtetin shqiptar pasi deklaron “të vdekura” ose të nevojshme për “operacione radikale” të gjitha pushtetet në Shqipëri. Para pak ditësh, shefi i opozitës Rama deklaroi se vendit nuk i duheshin as tre ligjet e kërkuara nga BE-ja për marrjen e Statusit të vendit Kandidat, por sipas tij, i duheshin “tre pushtete: Legjislativi, Ekzekutivi dhe Gjyqsori”.
Mirëpo ky antagonizëm politik i opozitës së majtë radikale është dëshmi i shterpësisë së alternativës së “Rilindjes”, e cila atakon të gjithë pushtetet e ndara të një shteti për të përmbysur demokracinë funksionale. Për të kapur pushtetin, Edi Rama u premton bizneseve heqjen e taksave, ndërsa kur shkon në spitale u premton me slogane komuniste për një “shëndetësi falas”. Ndonëse, në programin Rilindjes, kreu i PS, nuk flet asnjë fjalë për rolin e privatit në shëndetësi, as decentralizimin, as rolin e pushtetit lokal, as për burimet alternative financiare, as për elementet e tjera themelore  për sot apo/dhe nesër.
Sidoqoftë një gjë, është e sigurt Edi Rama po kërkon të vijë në pushtet duke nxirë realitetin me shpresën së kjo do të ndihmojë PS të magnetizojë votën “gri”. Denigrimi i jetës institucionale me bojkotime dhe protesta në dyert e gjykatave dëften një opozitë të pastabilizuar në shina e demokracisë. Dhe logjika revolucionare që karakterizon retorikën e Partisë Socialiste është sinjalizues për një kthim prapa të reformave. Shqipëria ka nevojë më shumë se çdo tjetër të ecë përpara nën ritmin e reformave “step by step”, hap pas hapi, dhe jo t’ia fillojë sërish nga e para. Qytetarët kërkojnë politika që të jetësojnë aspiratën e tyre liberale dhe integruese.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›