Të rinjtë e PD, certifikatë e fitores së ardhshme
Kryeministri Berisha bashkëbisedon me një grup të rinjsh, anëtarë të organizatës rinore të Partisë Popullore Evropiane
Kryeministri Sali Berisha priti dje në takim, një grup të rinjsh, nga vende të ndryshme të Evropës, anëtarë të organizatës rinore të Partisë Popullore Evropiane (YEPP), të cilën ndodhen në një vizitë në Tiranë. Kryeministri e konsideroi praninë e tyre në Shqipëri si respekt dhe mbështetje për të rinjtë e Partisë Demokratike dhe për Partinë Demokratike të Shqipërisë, duke theksuar se kjo parti është shumë e lidhur me të rinjtë dhe rininë. “Kurrë ndonjëherë vendi im nuk ka pritur përfaqësues kaq të shumtë, liderë të rinj të Partive të Qendrës së Djathtë të Evropës dhe të botës. Prania juaj është një respekt për të rinjtë e Partisë Demokratike dhe për Partinë Demokratike, por unë dua t’ju rrëfej juve se kjo parti është e lidhur më shumë se çdo parti tjetër që ju mund të imagjinoni me të rinjtë dhe rininë. Po të shkojmë 22 vjet më parë, është dhurata më e bukur që të rinjtë e universiteteve të vendit me kurajën, guximin dhe trimërinë e tyre i bënë kombit shqiptar. Ata mbetën si energjia kryesore e kësaj partie, por edhe vizioni më i ndritur i saj. Ata kanë luajtur një rol përfaqësues në të gjitha fitoret e Partisë Demokratike dhe në të gjitha reformat e realizuara nga kjo parti, gjatë gjithë këtyre viteve. Unë isha dje në Durrës dhe mund t’ju them juve të vërtetën se u mrekullova. Takova 3 mijë të rinj, të cilët sapo ishin anëtarësuar në Partinë Demokratike në qarkun e Durrësit. Nuk mund të kishte besim më cilësor, më epror, sesa besimi i të rinjve te kjo parti. Pas 22 vitesh themelim dhe 8 vitesh në pushtet, ky besim dhe kjo mbështetje është një certifikatë e fitores së ardhshme”- tha ai. Më pas, Berisha bëri një përshkrim të disa prej reformave të rëndësishme dhe të suksesshme që ka ndërmarrë qeveria gjatë këtyre dy mandateve qeverisje. “Kur ne erdhëm në pushtet në vitin 1992, Shqipëria ishte vendi më i varfër i planetit, me gjithsej 204 dollarë për frymë. Kryetari i shtetit të saj kishte një rrogë prej 16 dollarë në muaj. Papunësia në vend ishte 80 përqind. Vendi ishte i zhytur në një mjerim të panjohur kurrë në historinë e tij, çka detyroi mbi rreth 30 përqind të shqiptarëve të largohen në eksode biblike nga Shqipëria. Por, duke besuar në lirinë dhe vlerat e saj, ne ndërmorëm dhe zbatuam praktikat më agresive të privatizimit, të liberalizimit dhe rezultatet filluan të ndjehen shpejt. Të ardhurat për frymë çdo vit u dyfishuan. Ato mbeteshin sërish të ulëta, por rritja e shpejtë e tyre ishte shpresë. Kam kënaqësi që t’ju them se sot shqiptarët janë në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta, me rreth 9 mijë dollarë për frymë. Nuk jemi ende një vend i zhvilluar, por me disa tregues themelorë që kanë të bëjnë me qytetarin, me individin, me njeriun, ne i kemi arritur vendet e zhvilluara. Kështu, Shqipëria sot ka vdekshmëri foshnjore një-shifrore, ka vdekshmëri amtare një-shifrore, ka vdekshmëri të përgjithshme më të ulët se të gjitha vendet ish-komuniste, ka jetëgjatësi të njëjtë me disa nga vendet e zhvilluara të planetit. Shqiptarët në vitin 2001 kishin banesa për 1000 banorë më pak seç kishte çdo komb tjetër në Evropë në vitin 1980, ndërsa sot, sipas regjistrimit të fundit, ata lënë pas 5 kombe anëtare të Bashkimit Evropian dhe të OECD-së. Ndërhyrjet e fuqishme dhe reformat e mëdha që ndërmorëm, duke vendosur mësuesin në epiqendër, kanë rikthyer tërësisht performancën e sistemit arsimor. Sot në shkollat e larta dhe universitetet private studiojnë 32 mijë studentë, rreth 21 përqind e të gjithë numrit të përgjithshëm të studentëve. Zhvillimi i qëndrueshëm i vendit është dhe mbetet qëllimi më themelor yni. Në qoftë se vështrojmë te kjo krizë e sotme, në kuptimin e zhvillimit ajo dëshmon se gabime janë bërë, që janë bazuar në zhvillim të paqëndrueshëm. Në këtë kontekst, natyrisht zhvillimi i qëndrueshëm kërkon zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Në një vlerësim që ka bërë Boston Consulting Group, ai ka përpunuar dy tregues të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe këta tregues janë: koeficienti i shndërrimit të pasurisë në mirëqenie dhe i shndërrimit të rritjes në mirëqenie. I pari bazohet në analizën e 36 treguesve themelorë, i dyti në analizën e 51 treguesve më themelorë të zhvillimit. Shqipëria për shndërrimin e rritjes në mirëqenie për qytetarët zë vendin e katërt në botë. Sipas vlerësimeve, këta koeficientë janë ndër më të saktët për të përcaktuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe ata përfshijnë të gjithë faktorët, investimet në infrastrukturë, shpërndarjen e të ardhurave, arsimimin, shërbimin shëndetësor, përfshin kushtet e biznesit, shkallën e penetrimit të internet. Pra, përfshin pothuajse çdo lloj treguesi zhvillimi. Ne jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka për të mbajtur këtë pozicion”- u shpreh kryeministri. Kreu i qeverisë solli në vëmendje gjithashtu efektet pozitive që solli taksa e sheshtë, pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike. “Ne kemi investuar shumë gjatë këtyre viteve. Pasi erdhëm në pushtet, ne vendosëm taksën e sheshtë prej 10 përqind. Dua të jem i hapur me ju, kur vendosëm për këtë unë nuk parashikoja një rritje kaq të madhe sa ndodhi të të ardhurave, por unë gjithnjë besoj në atë që Ronald Regan thoshte se “paratë në kontot e qytetarëve janë më të vlefshme se në arkën publike”. Por taksa e sheshtë u provua një efekt i jashtëzakonshëm në Shqipëri. A mund të imagjinoni ju që në një periudhë kohore nga viti 2006 në vitin 2012, ne kemi mbledhur nga taksat dhe tatimet 9.2 miliardë dollarë më shumë se në periudhën 6 vjeçare të mëparshme. Këto ne i shndërruam të gjitha në investime të mëdha në infrastrukturë. Në vitin 2008 – 2009 ne kemi investuar në rrugët e vendit, marrë së bashku, 20 përqind të GDP-së. Më rastisi që në një nga këto vite të isha në Forumin Ekonomik në Davos dhe Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës i deklaroi audiencës se Kina për të kontribuuar kundër krizës do të investonte në infrastrukturë në dy vite, të marra së bashku, 16 përqind të GDP-së. Pasi mbaroi ekspozenë, unë e takova, i shtrëngova dorën dhe i thashë: Zoti Kryeministër, Shqipëria po investon 20 përqind të GDP-së”- deklaroi më tej ai.