E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëkënaqësia në një botë pa lider

10-02-2013 / Nga Joseph Stiglitz

Gjatë 25 vjetëve të fundit kemi lëvizur nga një botë e dominuar nga dy superfuqi në një të dominuar nga vetëm një superfuqi, dhe tani jemi në atë pa lider fare, në një botë multipolare. Ndërsa do të mund të flisnim për G-7-shin, G-8-shin apo G-20-shin, përshkrimi shumë më adekuat do të ishte G-0-ja. Do të duhej të mësonim si të jetonim dhe të lulëzonim në këtë botë të re

Takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror në Davos e ka humbur atë stilin e vet të kohës së para krizës. Pas të gjithash, para tkurrjes së vitit 2008, prijësit e financave dhe të industrisë mund të krenoheshin me vlerat e globalizmit, teknologjisë dhe liberalizimit financiar, të cilat supozohet të kenë paralajmëruar një epokë të re të rritjes së pamëshirshme. Të mirat do të ndaheshin nga të gjithë, vetëm sikur ata do ta bënin “gjënë e duhur”. Këto ditë kanë marrë fund. Mirëpo Davos mbetet një vend i mirë për ta fituar atë ndjenjën e globalizmit. Ai vazhdon pa thënë se shtetet në zhvillim dhe tregjet në lulëzim nuk mund t’i kthejnë më sytë nga shtetet e përparuara, siç kanë bërë dikur. Mirëpo vlerësimi i njërit prej shefave ekzekutivë të një kompanie minierash nga një shtet në zhvillim e kapi shpirtin e ndryshimit. Duke iu përgjigjur dëshpërimit të thellë të një eksperti të zhvillimit rreth asaj se traktatet e padrejta tregtare dhe premtimet e papërmbushura për ndihma u kanë kushtuar shteteve të zhvilluara me autoritet moral, ai tha: “Perëndimi kurrë nuk ka pasur një autoritet moral”.
Kolonializmi, robëria, ndarja e Afrikës në shtete të vogla dhe një histori e gjatë e përdorimit të burimeve mund të jenë çështje të një të kaluare të largët për kryerësit, mirëpo jo edhe për ata që kanë vuajtur si pasojë e tyre. Në rast se ekziston një temë e vetme që ka shqetësuar më së shumti liderët e mbledhur, atëherë kjo është pabarazia ekonomike. Ndryshimi në debat krahasuar me vetëm një vit më parë është dramatik: askush më nuk e ka përmendur nocionin e rënies së ekonomive dhe të paktë janë ata që janë të gatshëm të argumentojnë se ekziston një harmoni e ngushtë ndërmjet kontributeve sociale dhe shpërblimeve private. Derisa perceptimi se Amerika nuk është më toka e mundësive që shumë kohë më parë pretendonte të ishte, është po aq alarmuese për të tjerët, po aq sa edhe për amerikanët, pabarazia e mundësive në shkallën globale është edhe më e madhe. Askush nuk mund të pretendojë në të vërtetë se bota është e “rrafshët”, kur një afrikan i thjeshtë merr si kthim për investimin e tij apo të saj kapital një shumë prej disa qindra dollarësh, derisa amerikanët e pasur marrin dhurata nga prindërit apo shoqëria e tyre që kapërcen shifrën prej gjysmë milioni dollarësh.
Një prej pikave kulmuese të takimit ishte fjalimi i Christine Lagarde, drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e cila e shprehu ndryshimin dallues të institucionit të saj, të paktën në maje të tij: shqetësimi i thellë për të drejtat e femrave, theksi i ri vënë lidhjes ndërmjet pabarazisë dhe jostabilitetit dhe pranimi se pazarllëqet kolektive dhe pagat minimale mund të luajnë një rol të rëndësishëm në reduktimin e pabarazisë. Vetëm dikur programet e FMN-së në Greqi dhe vende të tjera mund t’i reflektonin plotësisht këto ndjenja! “Associated Press” organizoi një seancë këndellëse mbi teknologjinë dhe papunësinë: A munden shtetet (veçanërisht ato në botën e zhvilluar) të krijojnë vende të reja pune – vende të mira pune – përballë teknologjisë moderne, e cila ka zëvendësuar punëtorë me robotë dhe makineri të tjera në çdo detyrë që mund të bëhet rutinë? Mbi të gjitha, sektori privat në Evropë dhe në Amerikë nuk ka qenë në gjendje të krijojë shumë vende të mira pune që nga fillimi i këtij shekulli. Madje edhe në Kinë dhe në pjesët e tjera të botës me prodhimin në rritje, përmirësimet në prodhimtari – shpeshherë të lidhura me proceset automatike që i vrasin vendet e punës – janë përgjegjëse të rritjes më të madhe në prodhim. Ata që vuajnë më së shumti janë të rinjtë, e ardhmja e jetesës së të cilëve do të dëmtohet rëndë nga periudhat e stërzgjatura të papunësisë, me të cilën përballen sot.
Mirëpo shumica e atyre në Davos i lënë anash këto probleme për të festuar mbijetesën e euros. Nota dominuese ishte ajo e vetëkënaqësisë – apo madje edhe e optimizmit. “Veprimi Draghi” – nocioni që nënkupton se Banka Qendrore Evropiane, me xhepat e vet të thellë, do të bëjë dhe mund të bëjë çfarëdo që është e domosdoshme për të shpëtuar euron dhe cilindo shtet në krizë – duket se ka funksionuar, të paktën për ca kohë. Qetësia e përkohshme ka siguruar një lloj mbështetjeje për ata që pretendojnë se ajo që kërkohet, mbi të gjitha ishte një ringjallje e besimit. Shpresohej se premtimet e Draghit do të ishin një mënyrë jo e kushtueshme për sigurimin e këtij besimi, për shkak se kurrë nuk do të duhej të përmbusheshin.
Kritikët vazhdimisht kanë sinjalizuar se kundërthëniet fondamentale nuk janë zgjidhur dhe se për mbijetesën e euros për një afat të gjatë kohor do të duhej krijuar një union fiskal dhe bankar, i cili do të kërkonte një unifikim më të madh politik sesa shumica e evropianëve janë të gatshëm të pranojnë. Mirëpo pjesa e asaj që është në dhe përgjatë takimeve reflekton një mungesë të thellë solidariteti. Një zyrtar shumë i lartë qeveritar në një shtet verior të Evropës madje as që e uli pirunin e tij, kur ishte ndërprerë nga një mik i sinqertë darke, i cili bëri të ditur se shumica e spanjollëve tani po ushqeheshin nga shportat e bërllokut. Ata duhej të ishin reformuar më herët, u përgjigj ai, ndërsa vazhdoi ta hante mishin që kishte në pjatë. Parashikimet e rritjes të FMN-së, të publikuara gjatë takimit të FMN-së, nënvizuan se deri në ç’shkallë është bërë e tërhequr bota: rritja e GDP-së në shtetet e avancuara industriale pritet të jetë 1.4 për qind sivjet, ndërsa shtetet në zhvillim vazhdojnë të rriten në një shkallë të fuqishme vjetore prej 5.5 për qind.
Derisa liderët perëndimorë biseduan rreth një theksi të veçantë kushtuar rritjes dhe punësimit, ata nuk ofruan politika konkrete për t’i mbështetur këto aspirata. Në Evropë theksi vazhdimisht u është vënë kursimeve, me vetëfalënderime për progresin e arritur deri më tash, dhe një riafirmimi për të vazhduar shtegun që tanimë e ka zhytur Evropën si tërësi në recesion, ndërsa Britaninë e Madhe në një tkurrje të trefishtë.
Mbase nota më optimiste erdhi nga tregjet në lulëzim: derisa rreziku i globalizimit është ai se nënkupton një ndërvarshmëri të re, në mënyrë që politikat ekonomike me defekte në SHBA dhe në Evropë mund të prekin edhe ekonomitë e shteteve në zhvillim, tregjet më të suksesshme në lulëzim ia kanë dalë mjaftueshëm me globalizimin për të arritur një rritje të qëndrueshme në valën e dështimeve në Perëndim. Me SHBA-në politikisht të paralizuar nga zemërimet momentale fëmijërore politike të republikanëve dhe me Evropën të përqendruar në sigurimin e mbijetesës së projektit të nisur keq të euros, mungesa e një lidershipi global ishte një prej ankesave më të mëdha në Davos. Gjatë 25 vjetëve të fundit kemi lëvizur nga një botë e dominuar nga dy superfuqi në një të dominuar nga vetëm një superfuqi, dhe tani jemi në atë pa lider fare, në një botë multipolare. Ndërsa do të mund të flisnim për G-7-shin, G-8-shin apo G-20-shin, përshkrimi shumë më adekuat do të ishte G-0-ja. Do të duhej të mësonim si të jetonim dhe të lulëzonim në këtë botë të re.

Autori është laureat i çmimit “Nobel” për ekonomi dhe profesor në Universitetin e Columbias. Marrë nga “Project Syndicate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›