Kasneci Balla kundër përfitimit të deputetit socialist Qefalia nga privatizimet

Flet Edvin Kulluri, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes
Ministria Mbrojtjes reagoi pas akuzave të fundit të deputetit Taulant Balla për shitje të reparteve në afërsi të Malit të Dajtit duke i cilësuar ato të pavërteta dhe të bazuara në trillime. Në një prononcim për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i MM-së, Edvin Kulluri sqaroi se gjithçka është bërë në funksion të ligjit, ku për çdo pronë jashtë planit të përhapjes i rikthehet në pronë publike. “Ligji ‘për Kthimin dhe kompensimin e pronës’, detyron institucionet përkatëse të trajtojnë kërkesat e ish-pronarëve për pronat që dalin jashtë strukturës së Forcave të Armatosura, të miratuara me dekret të Presidentit të Republikës. Dhe konkretisht, në vitin 2009 njëra nga pronat e përmendura nga zoti Balla është privatizuar me të drejtë para-blerjeje nga familja e deputetit socialist Qefalia. Ky privatizim është kryer konform ligjit nga Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Financave”, inforoi Kulluri.
Sekretari i përgjithshëm i dikasterit të Mbrojtjes Kulluri theksoi se ashtu siç është sqaruar dhe më parë, “ministria e Financave ka raportuar se deri më tani në total janë shitur vetëm 23 prona që kanë qenë në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, nga të cilat 70 për qind e tyre janë përfituar nga ish-pronarët, me të drejtën e parablerjes”.
në përfundim Kulluri ka nënvizuar se për 71 prona janë transferuar në pronësi të pushtetit lokal, pa dallim politik, sipas vendimeve të qeverisë. “71 prona të tjera të tjetërsuara janë transferuar pranë pushtetit lokal ose institucioneve të ndryshme të pushtetit qendror me vendime të Këshillit të Ministrave, bazuar në kërkesat e tyre. Këto prona po përdoren për shkolla, qendra sociale e shërbimi shëndetësor, si dhe për nevoja të tjera të komuniteteve”, përfundoi Kulluri.