Kasta mafioze kërkon me mashtrime rikthimin e pushtetit të vjetër në kohë të re
Teksa shfaqen në ekrane fytyrat e atyre që për interesa vetjake kanë marrë në duar fatin e PS, shumë vetë kujtojnë një varg skandalesh, dramash e bëmash pa mbarim në kuvend, në bulevarde, në çadra grevash urie me ushqim natën deri djegie të qëllimshme viktimash. Kujtojnë veprimet e ethshme kundër rritjes së pagave e pensioneve, bllokime rrugësh kombëtare, kundërshtime për elektrifikimin e mëtejshëm të vendit e ndërtimin e rrugëve për bashkimin e kombit; kundër NATO-s, asocimit, heqjes së vizave për lëvizjen e lirë e marrjen e statusit të kandidatit në Bashkimin Europian. Njëkohësisht dëgjojnë jehonën e urdhrave të tyre më 21 janar 2011 për sulmin kundër policisë që mbronte me dinjitet Institucionin e ligjshëm ekzekutiv të vendit. Kjo kastë antikombëtare në aksionet e rebelimit komunist, tërhoqi pas vetes njerëz të mashtruar që u sulen kundër të ardhmes së tyre pa e ditur se po flijoheshin për karriket e pasardhësve të bllokmenëve të kuq e shokëve të tyre, si Edvin Kristaq Rama, Ben Kiço Blushi, Pandeli Majko, Koço Kokëdhima, Tom Doshi, Anastas Angjeli e Gramoz Ruçi, në vijim Saimir Tahiri, Taulant Balla, Erion Braçe dhe ngjitur pas tyre si rrodhe Skënder Gjinushi, Paskal Milo e Spartak Ngjela. Edhe pse kanë nivele të ndryshme kulturore e pasurie ata bashkohen tek i njëjti qëllim, tek marrja e pushtetit për të përvetësuar përparimet e arritura, sidomos në vitet fundit nga Qeveria Demokratike me doktor Sali Berishën në krye. Gjithmonë mashtrues e të pasinqertë lidhur me pasuritë e tyre të fshehta, të padrejtë për zgjidhjen e çështjeve politikë, ekonomike e juridike, përçarës të qytetarëve në qytet e fshat, përçarës të besimeve fetare, nxitës trazirash edhe në tregjet private, përbuzës ndaj njerëzve të thjeshtë me nofkat malok, çeçen, shpellarë, analfabetë etj. Gjatë kësaj fushate elektorale demokratike në mungesë të programit konkret, ata përdorin huqin e vjetër, gënjeshtrën, inskenojnë biseda pa pyetje me tallje e fyerje ndaj dëgjuesve, duke menduar se kanë përpara njerëz të një kohe të perënduar. Ata harrojnë se tashmë kanë të bëjnë me qytetarë të lirë në shekullin 21, pavarësisht nga etnia, të cilët kanë alergji nga termat komunizëm e socializëm. Nga një anë Edi Rama me shokë provokojnë me sloganin Rilindje, nga ana tjetër luten e jargaviten me kërkesën mashtruese të “rrotacionit”,që nuk e pranuan as pas tetë vitesh korrupsioni në votimet e vitit 2005. Nëse gjithkush do të njihej pak a shumë me jetën e veprimtarinë e atyre, që u përmendën më lartë do të krijonte një ide të qartë për kontributin e tyre në shërbim të popullit në qytet e fshat. Të gjitha ata mbrohen me fjalë boshe e dredhira,. Errësojnë gjithçka, flasin për krizë, në një kohe kur njerëzit e ndershëm punojnë, lodhen dhe pak nga pak po marrin veten. Kur aleanca e partive të majta, ku rreshtohen edhe katër parti komuniste, flet poshtë e lartë për rilindje, lind pyetja: për cilën rilindje bëhet fjalë dhe kush janë këta engjëj shpëtimtarë?
I pari i kastës pa dyshim është Edvin Rama - edhe pse pa talent, i arsimuar për art me ndihmën e dajë Kolekës, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe të atit Kristaq Rama anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, firmëtar i dënimit me varje të poetit Havzi Nela. Ky djalë i përkëdhelur qysh në hapat e para dështoi si piktor, sportist e gazetar. Libri “Refleksione” i shkruar me bashkëpunim tashmë vlen vetëm për koshin e plehrave. Më tej me ndihmën e kryetarit të PS, Fatos Nano, e shohim ministër të kulturës pa vepra kulturore, mandej kaluar në karriken e artë të kryebashkiakut të Tiranës, ku për 11 vjet, shpiku taksa mizore të panjohura ndonjëherë, kurse me kapedan Koço Kokëdhimën me shokë me tendera të paligjshme u aktivizua në betonizime pa kufi e dëmtimin e gjelbërimit, duke krijuar probleme të rënda urbane, ekonomike, ekologjike dhe trafik të frikshëm për banorët e kryeqytetit. Pas humbjes dyfishe vazhdoi si drejtues i PS, i paaftë si politikan, pa idera ekonomike, i paditur në politikën e jashtme, me mungesa të theksuara ndjenjash kombëtare. Premtimet e tij janë më pak se disa nga realizimet e shumta të Qeverisë demokratike. Programi i tij është marrë nga miku i vet Papandreu i krizës së thellë të Internacionales socialiste.
Për Ben Blushin ideologun e PS, mjafton të përmendim romanin “Të jetosh në një Ishull”, ku ai shfaqet hapur si nismëtari i përçarjes kombëtare e fetare. Ky roman i hartuar me ndihmën e të atit Kiço Blushi këshilltar i diktatorit Ramiz Alia, i lëvduar me bujë nga miku i familjes, botuesi e deputeti socialist Fatmir Toçi, në fakt është një doktrinë e qartë antishqiptare, ku historia e Shqipërisë dhe e heronjëve të kombit duke filluar nga Skënderbeu tregohet tjetër për tjetër. Romani nëse do të miratohej nga shumica e lexuesve do të shkaktonte një kaos të vërtetë në gjykimet e tyre lidhur me bashkëjetesën etnike e fetare të qytetarëve tanë me rrjedhoja të rrezikshme për Shqipërinë. Gjatë fushatës elektorale në qarkun e Elbasanit Ben Blushi bartës i këtyre ideve është shprehur pa të keq se problemet kombëtare shqiptare në Ballkan tashmë qenkan kapërcyer. I larguar nga Kolonja e origjinës sillet rrotull fshatrave patriote të Elbasanit me mburrjen, se është nip i poetit e shkrimtarit Dh.S Shuteriqi, që ngrinte lavde për komunizmin me poemat “Enverit” dhe “Stalini- strategu i fitoreve”. Deklarata e tij dashakeqe për autostradën me tunel Tiranë-Elbasan tani vlen për kanalet e Bashkisë së Elbasanit.
Pandeli Majko- ishkryeministër krejtësisht i paaftë, ndërlidhës i fshehtë më 1997 i “Komiteteve të shpëtimit”, i njohur për “taksen Majko” grumbulluar për një rrugë pa projekt-ide që u harrua tok me fondin e taksapaguesve, i famshëm në Kuvend për parimin komunist kundër investitorëve të huaj me gazetën e hapur në duar e klithmën “ ja, horr-horri!”
Koço Kokëdhima oktapodi i Qeparosë, anëtar i Partisë së Punës e sekretar i Komitetit të rinisë për Fierin, botues i Gazetës antishqiptare “Shekulli,” i pasuruar misteriozisht, gllabërues i tenderave për pallate-piramida në kohën e kryebashkiakut Rama.
Tom Doshi i pastrimit të parave deri në Australi, i fshehjes së burimit të tyre dhe i fondeve monetare të padeklaruara. Pjesëmarës dhe organizator rebelimesh antiqeveritare me njerëz të mashtruar.
Anastas Angjeli këshilltari ekonomik i Adil Çarçanit për tufëza e arëza. Naçi apo Caci i zi i dëbuar nga Fatos Nano larg kolltukut të parave nën dorë. Këtë fluturak oqeanesh tashmë e shohim krah për krah me treshen Edvini, Koço e Tom për rilindjen e kohëve të arta të korrupsionit.
Gramoz Ruçi- ishministër i brendshëm e shef i Sigurimit të shtetit i diktatorit Ramiz Alia, përgjegjës për masakrën në Shkodër, vrasjen e katër studentëve demokratë, Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Besnik Cekës, Nazmi Kryeziut e plagosjen e shumë të rinjëve. Nxitës i shereve në Kuvend dhe i rebelimit më 21 janar 2011 në Tiranë.
Trojka Skënder Gjinushi, Paskal Milo e Spartak Ngjela. I pari, ish-ministër komunist i arsimit në kohën e diktaturës, shkaktar turbullirash më 1997, pjesëmarrës në rebelimin e 21 janarit. I dyti, enverist i patundur nga istikami, ish-ministër i jashtëm pa vlerë në vitet e Qeverisë socialiste. I treti, me barcaleta gazmore në dasmat e Bllokut, fluturak nga kunji në kunj, i njohur për britmat e egra para kryeministrisë, me kërkesën e çmendur për vrasjen e mijëra viktimave të pafajshme. Meqenëse të tre janë pa votues dëshira e tyre e zjarrtë që s’u ndahet as ditën, as natën, është hipja e dy të parëve në karriken e kryeministrit. I treti do të kënaqej me postin ministror të drejtësisë, i premtuar vesh më vesh nga çuni i Bllokut Edvin.
Së fundi treshja e gjorë shërbëtore e palodhur e shpifjeve me gjyqe të humbur, Saimir Tahir vetullziu, Taulant Balla pehlivani dhe Erion Braçe lumëmadhi, të tre rebelë megafonësh të çtingëlluar. Ka edhe shumë të tjerë, fijet e kuqe e të cilëve lidhen me ish-Bllokun apo me Pallatin e Ëndrrave.
Me pak fjalë këta. janë disa prej kastës mafioze që bredh për votat tuaja me premtime boshe, për sigurimin e parave të fshehura e të qetësisë shpirtërore me anën e rilindjes së pushtetit të pakufizuar. Por kohët kanë ndryshuar, arritjet në qytete e fshatra janë të shumta. Sapo mbaron përurimi i një rruge të përfunduar, përurohet fillimi i punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve të reja në kaskadat e lumenjve Devoll e Fan, ashti siç pritet nga dita në ditë mbarimi i autostradës me tunel Tiranë-Elbasan. Megjithatë doktor Sali Berisha dëgjon me respekt kërkesat e shumta të qytetarëve e fermerëve kudo në Shqipëri të cilat përputhen me programin e ardhshëm të Qeverisë Demokratike, ndaj premton me optimizëm plotësimin e tyre.
Ndryshe nga diktatura komuniste, bukuria e madhështia e demokracisë shfaqet në ditën, kur pas një pune të lodhshme populli ftohet të votojë drejtësisht për udhëheqësin më të aftë e të ndershëm, i cili me gjykim të shëndoshë do të prijë për një jetë më të mirë. Ai që vendos të votojë më 23 qershor më parë duhet të krahasojë kryesorët e dy partive PD e PS. Në personin e kryeministrit doktor Berisha, shumica e popullit sheh punëtorin e palodhur e serioz të Qeverisë Demokratike, përballë një njeriu pa kulturë si Rama, i cili nuk paguan taksat e fsheh të ardhurat e veta dhe në biseda tallet me fermerët e gratë e moshuara, madje edhe me veten, kur deklaron se nuk merr vesh nga politika. Ç’farë duhet të shpresosh nga hokatari i PS i cili fyen rilindasit e mëdhenj duke i krahasuar me Majkot e Kokëdhimat, kurse qytetet monument kulture, Beratin e Gjirokastrën, ku drejtojnë kryebashkiakët socialist mburravec e të papunë, si Fadil Nasufi e Flamur Bime, i quan qytete humnera e gërmadha?