E Diel, 1 Nëntor 2026

Kastoria e kërkon Velijajn e BesesShqiptari nga Maqedonia merr ofertë nga skuadra greke

RESHAT IBRAHIMI (Shkup) – Futbollisti i Besës nga Kavaja, Bilall Velija ka marrë një ofertë serioze nga skuadra e kategorisë së dytë të futbollit grek, Kastoria, mirëpo kalimi i tij kushtëzohet me dëmshpërblimin që e kërkon skuadra e tij aktuale. Kjo është edhe arsyeja kryesore, e cila do ta shtyjë mbrojtësin dhe mesfushorin e djathtë të qëndrojë deri në përfundim të kampionatit në radhët e verdhezinjve. “Pothuajse është punë e kryer me Kastorian, mirëpo problemi ekziston te dëmshpërblimi, të cilin e kërkojnë drejtuesit e Besës. Prandaj më duhet të pres përfundimin e kontratës, e cila më skadon në qershor dhe dëshiroj që të respektojë atë”, ka treguar për “Lajm”, Velija. Ai njoftoi se ndërmjetësues për kalimin e tij në futbollin helen është lojtari nga Maqedonia, Ilami Halimi. “Po, Halimi më ndihmon shumë në këtë drejtim. Ai më ka sugjeruar që të pres deri në qershor dhe pastaj të transferohem atje. Më mbetet të përcjelli ekipin e Kastorias, e cila nuk është në pozitë të mirë tabelore. Nëse arrijnë të sigurojnë ekzistencën, atëherë mundësitë janë reale që të shpërngulem në Greqi”, bëri të ditur lojtari shqiptar nga Maqedonia. Ndryshe, Besa të hënën zhvilloi stërvitjen e parë dimërore, ndërsa planifikohet që verdhezinjtë fazën përgatitore ta zhvillojnë në Mal të Zi.

E Hene, 05 Janar 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›