Kastrioti dhe Besa, më aktivët

Kastrioti dhe Besa janë ekipet më të përforcuara të afatit kalimtar dimëror për hendbollistë dhe hendbolliste. Këto dy skuadra synojnë që vitin e ardhshëm të marrin pjesë në garat evropiane, kështu që nuk kanë ndenjur duarthatë.
Kampioni i vjeshtës, Kastrioti, në radhët e veta ka sjell dy hendbollistë nga Maqedonia: Petar Gogoj dhe ka rikthyer Goce Jovçevskin, ndërsa ka paraqitur kërkesën edhe për hendbollistin nga Azerbajxhani, Oleg Georgievin.
Besa Famiglia ka paraqitur kërkesën në zyrën e Federatës së Hendbollit të Kosovës që të përforcohet me hendbollistët: Bojan Cvetkovski e Igor Trajkovski (Maqedonia) dhe Mile Mijushoviq (Mali i Zi).
Nga ana tjetër, skuadrën e Besa Famiglias e kanë lëshuar hendbollistët, Dardan Shala, Hashim Beqiraj, Lulzim Belegu, të cilët kalojnë në radhët e skuadrës së Liridonit nga Deçani. Edhe kampioni në fuqi, Prishtina, është përforcuar me hendbollistët Ekrem Maloku e Fisnik Salihu (Trepça), pastaj Shkëlzen Kërtokun e Kosovës së Vushtrrisë dhe Fisnik Jasharin e Drenicës.
Vëllaznimi, pas disa vitesh ka rikthyer në radhët e veta portierin e dëshmuar Bekim Dashi, që stinorin vjeshtor mbrojti me sukses në radhët e Besës. Në konkurrencën e femrave, më së shumti ‘dridhje’ ka pësuar kampioni në fuqi, Kosova e Vushtrrisë, të cilës i janë larguar dy hendbolliste: Shqipe Tahiri e Albulena Kelmendi. Tahiri kaloi në radhët e Kastriotit nga Ferizaj, ndërsa Kelmendi në KH Prishtina.
Kryetari i Komisionit për regjistrim të hendbollistëve, Faruk Mujka, tha se brenda disa ditësh do të mblidhet komisioni për regjistrim dhe do t’i shikojë se cilët nga hendbollistët dhe hendbollistet e kanë të kompletuar dokumentacionin.
Përforcimet:
Meshkujt
KH Kastrioti: Petar Gogoj, Goce Jovçevski (Maqedonia), Oleg Georgievi (Azerbajxhani).
KH Besa Famiglia: Bojan Cvetkovski e Igor Trajkovski (Maqedonia) dhe Mile Mijushoviq (Mali i Zi).
KH Prishtina: Ekrem Maloku, Fisnik Salihu (Trepça), Shkëlzen Kërtoku (Kosova) dhe Fisnik Jashari (Drenica).
KH Vëllaznimi: Bekim Dashi (KH Besa Famiglia).
KH Liridoni: Dardan Shala, Hashim Beqiraj, Lulzim Belegu (Besa Famiglia).
Femrat
KH Kastrioti: Shqipe Tahiri (Kosova).
KH Prishtina: Albulena Kelmendi (Kosova).