E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kastro Zizo risjell “Sytë e tu” në version të ri, zbulon si nxori në skenë Bebe Rexhën në koncertin e tij

Kastro Zizo sapo është prezantuar me projektin e ri muzikor. “Sytë e tu”, këngë e vitit 1989, vjen në një version të ri me Frederik Ndocin dhe me talentin e ri, Shiny. “Ideja ishte që edhe brezi i ri ta njihte këtë këngë” – tha Kastro Zizo sot në emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu. “Donim që brezin e Rikut, brezin tim dhe atë të Shiny-t t’i bënim në një, në variantin trap që ka ardhur kënga.”

“Sytë e ty” është muzikuar nga Ardit Gjebrea, me tekst të Preç Zogajt. “Ia dërgova me frikë këngën Arditit në fakt, sepse kemi të bëjmë me një nga producentët dhe muzikantët më të mëdhenj që ka Shqipëria dhe për më tepër është material i vet dhe kjo është shumë delikate. Fati, talenti dhe puna e përbashkët deshi që ai e pëlqeu shumë këngën.”

Gjatë intervistës Kastro Zizo tregon se çfarë ka zbuluar gjatë digjitalizimit të arkivës personale. “Jam duke digjitalizuar shumë kaseta të dikurshme. Një ndër momentet është edhe vera e vitit 2007 ku në qytetin e Dibrës së madhe në Maqedoninë e Veriut unë mbajta një koncert recital. Ishte një nga periudhat kulminante të miat. Të pranishëm ishin rreth 40 mijë vetë. Midis tyre ishin dy prindër dhe një djalosh që m’u afruan dhe më thanë: “Të lutem, është një vajzë, nxirre si ‘warm up’ para se të këndosh, sepse të adhuron. E pyeta për emrin dhe më tha që quhej Bleta. Dhe vendosa që ajo të dalë në skenë. Ajo ishte Bebe Rexha. Mund të ketë qenë 15-16 vjeçe. Kishte disa produksione të kohës dhe këndoi dy-tre këngë. Xhaxhanë e saj e kam shumë mik dhe e kam takuar herën e fundit në New York. Do ia çoj këtë video dhe më pas ajo vendos nëse do ta publikojë ose jo.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›