E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katalizatori kosovar i BE-së

 
Shpallja e pavarësisë së Kosovës ktheu stabilitetin në Ballkanin Perëndimor në agjendën e Evropës. Në qoftë se Bashkimi Evropian nuk ndërmerr veprime vendimtare, gjendja në rajon mund të përkeqësohet dukshëm, gjë që do të sjellë pasoja të rënda sociale dhe ekonomike, po ashtu edhe pasoja nga pikëpamja e sigurisë. Për BE-në është e nevojshme një qasje rajonale gjithëpërfshirëse, e përqendruar në kapërcimin e pengesave ekzistuese për anëtarësimin e secilit vend të rajonit.
Ballkani Perëndimor - term i përdorur vetëm nga viti 1999 - përfshin Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë (FYROM), Malin e Zi, Serbinë dhe Kosovën, me një popullsi gjithsej rreth 22 milionë banorë. Zhvillimet ekonomike në rajon flasin për perspektiva të mira: pothuajse të gjitha ekonomitë demonstrojnë tempe të larta rritjeje, gjë që favorizon rritjen e prodhimit industrial dhe eksporteve. Investimet e brendshme gjithashtu rriten pa ndërprerje, ndërkaq biznesi duket se beson se sfidat e tjera politike dhe ato të sigurisë - efektet e mundshme negative të Kosovës pas-pavarësi dhe situatës jo të mirë të Bosnjës - do të kapërcehen herët a vonë.
Tashmë, është bërë një punë e madhe për rimëkëmbjen dhe përmirësimin e marrëdhënieve rajonale. Pakti i Stabilitetit i Evropës Juglindore, që udhëhiqet nga BE-ja, ka stimuluar me suksese qysh nga viti 1999 bashkëpunimin ndërkufitar, kjo, për herë të parë që nga koha e shpërbërjes së Jugosllavisë. U arritën rezultate pozitive në energjitikë, infrastrukturën e transportit - rrugor, hekurudhor dhe ujor - dhe në parandalimin e kriminalitetit. Pakti i Stabilitetit është zhvendosur sot në çështje të drejtimit në nivel vendor në formën e Këshillit të Kooperimit Rajonal, me seli në Sarajevë, i gatshëm në përpunimin e standardeve rajonale dhe shumëpalëshe për anëtarët e tij.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA - Central European Free Trade Agreement) e rimëkëmbur para pak kohësh, duhet të bëhet mekanizmi kryesor rajonal për tregtinë dhe biznesin në përgjithësi, dhe do të respektojë si rregullat e OBT-së, ashtu dhe detyrimet e palëve në raportet me BE-në. Në mënyrë të ngjashme, Procesi i Kooperimit në Evropën Juglindore (South-East European Cooperation Process) është një nga organizatat e reja rajonale, që kontribuojnë në përgatitjen e vendeve kandidate dhe kandidatëve potencialë për anëtarësim në BE dhe që janë forumi politik i vërtetë i përmasës rajonale, në të cilin marrin pjesë si vendet anëtare të BE-së ashtu dhe kandidatët për anëtarësim.
Por këto organizata nuk duhen parë si zëvendësuese të një procesi shumë më kompleks anëtarësimi, të cilin mund ta iniciojë vetëm BE-ja. Megjithatë, pavarësisht perspektivave të favorshme dhe përmasave relativisht të vogla të rajonit, BE-ja nuk nxitohet të hedhë hapat e parë.
Sigurisht, ritmi i afrimit të vendeve kandidate drejt BE-së varet nga shpejtësia e kryerjes së reformave prej tyre. Dhe Evropa, me mbështetjen vitale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka bërë përpjekje të mëdha për të ndaluar masakrën e viteve 1990 dhe në vijimësi në ndihmën për rindërtimin e vendeve ballkanike.
Por deri tani BE-ja nuk ka ndërmarrë hapa për përgatitjen e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në përputhje me premtimin e liderëve të saj në Samitin e Selanikut, të vitit 2003, për pranimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor vetëm atëherë kur ato do të arrijnë standardet e BE-së.
Ky premtim nuk ishte bamirësi; anëtarësimi i Ballkanit është në dobi të BE-së. Duhet vënë në dukje se, kriza e zgjatur brenda BE-së lidhur me projektkushtetutën shkëputi vëmendjen nga anëtarësimi i vendeve të reja dhe dëmtoi reputacionin e BE-së në Ballkan. Le të shpresojmë se traktati i ri, Traktati për Reformat, do të ndihmojë në qetësimin e kritikëve dhe do të shtrojë rrugën drejt një faze integrimi të re dhe më të fuqishme.
Në qoftë se jo, atëherë do të duhej shtruar pyetja se, ç'ndodhi më shpirtin evropian të viteve 1970 dhe 1980, kur për vende të tilla si Greqia, Portugalia dhe Spanja, që sapo ishin çliruar nga diktatura dhe trazirat civile, u hapën dyert e bashkësisë evropiane të shteteve demokratike? Vendimet politike, që u morën në atë kohë, ishim shumë më me rreziqe se sot në Ballkan, dhe se sukseset e Greqisë dhe Gadishullit Iberik demonstrojnë urtësinë e vendimeve të guximshme që u morën në atë kohë.
Por çfarë paska bërë vaki sot? Anëtarët e pranuar para do kohe në BE - Bullgaria dhe Rumania - janë shtete ballkanike, dhe të dyja janë shembuj të vendeve me probleme specifike. Teksa BE-ja fillimisht mbajti qëndrim normal ndaj negociatave për anëtarësimin e tyre, më vonë u vendos të vazhdohej monitorimi i të dy vendeve edhe pas anëtarësimit, me synim që të garantohet se ato do të zhvillojnë sisteme efektive qeverisjeje dhe drejtësie, të cilat bëjnë pjesë në detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në BE.
BE-ja duhet të nxjerrë mësime nga kjo përvojë dhe të hartojë një strategji pranimi për shtetet e Ballkanit Perëndimor, zhvillimi i të cilave përballon një proces tranzicioni kompleks pas-konflikt. Problemet e tyre specifike duhen marrë në konsideratë në një qasje të re të BE-së, duke u dhënë shpresë dhe njëkohësisht duke zbutur pasojat e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Përshpejtimi i procesit të integrimit është sa në interes të Evropës, aq dhe të rajonit. Rinovimi i procesit të pranimit do të kontribuonte në konsolidimin e BE-së, si nga pikëpamja territoriale, ashtu dhe ajo politike, njëkohësisht BE-ja duhet të forcojë rolin e vet në rajonet fqinje - vendet e Mesdheut, Lindjes së Mesme dhe basenit të Detit të Zi.
*Wolfgang Petritsch (Volfgang Petriç) është ambasadori i Austrisë në OKB në Gjenevë, ka qenë më parë i Dërguari Special i BE-së për Kosovën, Kryenegociator i BE-së në bisedimet e paqes për Kosovën në Rambuje (Rambouillet) dhe Paris dhe Përfaqësues i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë-Hercegovinë.
Titulli në origjinal: "The EU's Kosovo Catalyst", në Project Syndicate/Europe's World, 2008
Përktheu: Vladimir Mustaqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›