Ora e kapitalizmit shqiptaro-enverian
U desh një katastrofë e vërtetë reale që të zëvendësonte të gjithë aksidentet e punës, të cilat janë pjella të njëra-tjetrës. U deshën plagë kaq të rënda masive, të ngjarjeve rreth e rrotull fshatit Gërdec, që të shkundemi nga pak dhe të gjithë së bashku, që nga qytetarë të thjeshtë deri te zyrtarë të larte. Vetëm dy tre ditë më parë, kur festonim Festën e Verës, kishim të drejtë të mendonim me trishtim se po binte ora e aksidenteve të njëpasnjëshme me të cilat po mësoheshim.
Ngjarjet e Gërdecit, ka mundësi t'i mbulojnë për më tutje tragjeditë e njëpasnjëshme të minierës së Bulqizës, humbjet dhe dëmtimet e njerëzve që punojnë në metalurgji dhe në ndërtim apo pluhurin vdekjeprurës të fabrikave të çimentos të cilat po serviren si prosperitet i ditës.
Mësohemi me aksidentet nga spikerët e lajmeve, pastaj me deklaratat e mjekëve, pastaj mezi duket deklarata e ndonjë shefi policie që kujdeset të marrë pjesë në ritualet mortore dhe në finale bashkojmë dhimbjet tona me vizitat dhe ngushëllimet e personaliteteve të lartë në familjet që mbajnë mbi shpinë fatkeqësitë.
Sikur të mos ishin fytyrat tona politike stacionet e kanaleve dixhitale, do të kishim menduar se po jetonim në shek. XIX, në shekullin e punës së mjeruar të krahut.
E dimë se çdo ngjarje dhe çdo fenomen shoqëror ka një emër, ka një shkak, ka edhe një datë. Janë ca pikëpyetje që nuk mësohen dot nga navigimet në internet, pasi e kemi të qartë se bëhet fjalë për ngjarje që kanë lidhje me njerëz anonimë. Është shumë më e lehtë të lundrosh nëpër skandalet e seksit të njerëzve të njohur që shkaktojnë buzëqeshje të vogla të hidhura apo zbavitëse, por është pothuaj e pamundur të investigosh faktet që lidhen me lejtmotivin e aksidenteve të tregut shqiptar të punës të cilat në finalet e tyre të lamtumirës, përfundojnë me doza melodramatike teatrale.
E thënë ndryshe, janë të ndryshme edhe propabilitetet e fatkeqësive që grumbullohen në qoshëzat e varfëra, të mbetura si fosile nga industria e vjetër ku kane filluar pseudo investimet. Ndoshta do të kishim më tepër shpresë dhe besim në energjitë investuese, sikur humbjet e njëpasnjëshme që fshihen në pluhurin e harresës të mos shfaqeshin përsëri. Në këto kushte shurdhërije të fillimit industrial shqiptar të shek. XXI, e vetmja përgjigje është romani "Zherminal" i Emil Zolasë, e shkruar më 1860 dhe e botuar më 1880, tetë vjet para se ky personalitet i madh të botonte artikullin "Unë akuzoj" me anë të të cilit demaskoi me forcë dënimin e padrejtë në çështjen Drejfus duke shënuar të parën liri shprehjeje botërore. Ky roman mund të shkruhej edhe sot, në minierat e Bulqizës. Shkrimi i tij mbi dënime të padrejta apo favorizime, do të vihej përsëri në rezonacë me gjendjen e punëtorëve të një miniere.
Duket se pamjet e punëtorëve që hyjnë në grevë tradhëtojnë gjithë kahjet e bukura të shekullit tonë. Ky është kapitalizmi që kemi mësuar në tekstet e shkollave, ose e thënë ndryshe, fanitjet e fantazmës së kapitalizmit tonë shqiptaro-enverist. Kështu shkaqet e aksidenteve dhe dukurive "ala sacrificë sublime", nga një anë na kujtojnë filmat shqiptarë të viteve '60 të mbushur plot dhurim jete, nga ana tjetër venë në jetë përshkrimet e gjalla të kapitalizmit të shpjeguar prej elementeve të një junte të gjatë dhe të sprovuar marksiste.
Në këtë vizion të çuditshëm që ngulmon të fiksohet nuk është e lehtë të gjendesh sot në anën e shkrimtarit Emil Zola, kur të gjithë tryezat e mëdha politike, shoqërore, bashkiake dhe të grupeve të interesit, janë loja më e sigurt e fatit. Në këto tryeza sigurije shoqërore, ke të drejtë të dyshosh se do të shfaqen iniciatorë aksidentesh që s'kanë aftësi të sigurojnë jetën e punëtorëve të tyre.
Këto realitete të shtyjnë të mendosh se sa komplekse është shoqëria shqiptare, se ajo mban gjallë zgavrat e shekullit të tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë të paraindustrializimit europian, të cilat shkojnë paralel me zgavrat e hakmarrjes, me zgavrat e fejesës që në djep e vajzave të vogla, njësoj si në Anglinë e fillimshekullit XVII që përshkruan Vixhinia Ulf tek "Një dhomë më vete".
Dhe meqë këto pamje njerëzore na kanë zbritur deri në shekujt e kaluar, mund të kujtojmë edhe shkrimtarin e madh anglez Koulrixh i cili ka folur mjaft letrarisht për taksat. Jo sipas meje apo shkrimtarëve të tjerë shqiptarë të shek. XXI, por sipas një shkrimtari që ka jetuar në vitet 1700, sistemi i taksave shpëton shoqëritë nga rruga e forcës dhe e përfitimeve nga luftrat ose nga padrejtësitë, duke krijuar reforma të brendshme shoqërore. Po ky shkrimtar është nga të parët që pa i vënë rëndësi pogromeve, i jep vlerë marshimit të mbretërve nëpër kryqëzata e largëta vetëm e vetëm për arsyen e shkëputjes së shoqërisë nga influenca e tyre e privilegjeve dhe të forcimit të shtresave të mesme. Si ky personalitet dhe shumë të tjerë, e sensibilizonin shoqërinë me format e tyre. Nuk dihet ende se çfarë bëjnë intelektualët dhe mendimtarët shqiptarë të shek. XXI. Pesha e diskutimeve të tyre për gjendjen e punëtorëve shqiptarë dhe vdekjeve aksidentale është mjaft e vogël po të krahasohet fjala vjen me diskutimet e pafund mbi mozaikun në fasadën e Muzeut Kombëtar që tregojnë dëshirë për konfigurime të përshpejtuara dhe të paduruara, madje aksidentale.
Të mbetur vetëm, punëtorët tanë të aksidentuar, në një vend si Shqipëria e kanë vështirë të kthehen në teknicienëve të sofistikuar, ndryshe nuk do të binin nga skelat. Kurse kjo shmangia jonë ndodh ngaqë jemi ushqyer me vizionet e vjetra të kapitalizmit të përshkruara nga Enveri. Arsye tjetër e kësaj mospërfilljeje është prirja tradicionale individualiste e ekonomisë së vogël që e ka të pamundur të bëjë tjetër gjë përpos pronarin e vogël kryeneç, i lirë e mikroskopik i industrisë së shkëmbimit, i cili e ka mbushur rrugën me lloj-lloj dyqanesh.
Sot në versionet e reja të vizionit të besueshëm, në mozaikun e Muzeut Kombëtar në vend të punëtorëve të ngazëllyer, do të viheshin punëtorëte minierës së Bulqizës; në vend të gruas me veshje kombëtare, gratë e ngujuara; në vend të patriotëve tanë mjekërthinjur, patriotët e sotëm të investimeve; dhe në vend të partizaneve, vajzat e bukura të diskove, të vetmet aleate të pashtershme të qytetërimit.
Si del nga kjo renditje pamfletike, punëtorët mbeten qeniet shoqërore më të sakrifikuara, për të cilat askush nuk është ngritur të protestojë ose të solidarizohet. Rasti i Gërdecit fatkeqësisht tingëllon si një shpagim për qeveritë tona dhe për indiferencën tonë. Nuk është e rastësishme që për katastrofa minierash herë pas herë vijnë lajme ngavende të transformimeve orientale si Kina ose Rusia, ose nga vende si Turqia. Ato tregojnë gjithë shenjat e shoqërive oligarkike dhe të autoritarizmit ku zënë fole aferat dhe spekulimet.
Në gushtin e vitit 1992 , ndërsa i gjithë vendi në formë intuitive apo të programuar kishte shtruar parrullën "E duam Shqipërinë si të gjithë Europën", përpiqesha edhe unë bashkë me të tjerët, t'i jepnim të drejtë egzistencës së të djathës së shtypur dhe të privuar shqiptare. Merrja pjesë në Këshillin Kombëtar të PD ku përjetoheshin debate që për mua do të mbeteshin të pakuptueshme, po të mos dëgjoja deri sot fushatën e demokratëve amerikanë të mbushur plot mendime kontraversale. Vizionet e kapitalizmit ishin ende ato enveriane, ku djathtizmi ekstrem bashkohet lehtë me majtizmin ekstrem. Pikërisht në ato ditë ndryshimesh të mëdha, kur edhe vetë papa, abrogonte dënimin shekullor të Galileo Galileut, mbaj mend se nxora nga çanta krejt spontanisht një copë flete ku kisha përkthyer disa paragrafë nga fjalimet elektorale të Bob Kenedit. Fliste për sistemin e komplikuar dhe të vazhdueshëm të dhunës, që shfaqet në shumë mënyra, dhunë që sipas tij aplikohet deri në njerëzit e thjeshtë që nuk mund të mbajnë në kokë kapelet e tyre të ngrohta të dimrit. Por njerëzit në sallë nuk ishin mësuar të dëgjonin ende Bob Kenedin, njeriun që shfaqi njësoj si Xhon Kenedi, vizionet e reja të demokracisë së kapërximit të shek. XX.
Ndërsa shumica e zyrtarëve shqiptarë për pothuaj njëzet vjet mbajnë në sirtare, ose të pahapur librat e Emil Zolasë të cilat në të vërtetë kanë brenda edhe parimet e mëdha të liberalizmit dhe të demokracisë. Por kush ka marrë një detyrë përsipër, nuk ka më të drejtë të mbajë të mbyllura mësimet e njerëzimit, njësoj si Luigji XIX, që vodhi një kaçube kafeje të cilën donte ta kishte për plantacionet e tij ekskluzive. Pasi kjo nuk ka ndodhur në kohën tonë, por në vitin 1713, një kohe të cilës ndoshta i referohej edhe Enver Hoxha.