Katari nuk dëshiron të hapë Botërorin, ndeshja e parë është Senegal-Hollandë

Do të jetë Senegal-Hollandë dhe jo Katar-Ekuadori që do të hapë Kampionatin Botëror të futbollit 2022. Ndeshja do të luhet më 21 nëntor në stadiumin Al-Thumama me start në orën 12:00. Kalendari i ditës së parë do të vazhdojë me Angli-Iran në stadiumin Khalifa International (15:00) dhe me Katar-Ekuadorin në stadiumin Al-Bayt, në Al-Khor (18:00). Në fund, në orën 21:00 është caktuar ndeshja mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe skuadrës që do të kualifikohet mes Uellsit dhe fituesit Skoci-Ukrainë.
Tradicionalisht në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës është përfshirë ekipi pritës, por në këtë rast programi ka ndryshuar dhe FIFA nuk ka dhënë asnjë shpjegim për arsyet e ndryshimit. Prandaj, për të parë Katarin në punë, do të duhet të presim deri në pasditen e vonë të 21 nëntorit.