Katastrofa në Nepal dhe Tibet, rritet numri i viktimave dhe i të zhdukurve nga përmbytjet

Është rënduar bilanci i katastrofës natyrore në kufirin mes Nepalit dhe Tibetit, ku numri i viktimave ka arritur në të paktën 170, ndërsa mbi 1 mijë e 300 persona rezultojnë të zhdukur sipas të dhënave të fundit të bëra publike nga autoritetet. Në Nepal janë konfirmuar 165 viktima, ndërsa tre persona kanë humbur jetën në Tibet.
Mes të zhdukurve ka edhe qindra shtetas të huaj, përfshirë turistë dhe pelegrinë që ndodheshin në zonën e goditur. Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet mes baltës dhe rrënojave, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rëndohet më tej.
Tragjedia nisi të mërkurën, kur një pjesë e një akullnajeje në Himalaje u shemb dhe shkaktoi një masë të fuqishme uji, balte dhe shkëmbinjsh. Uji doli me shpejtësi nga shtrati i lumenjve dhe përfshiu fshatra, rrugë, ura dhe ndërtesa në të dyja anët e kufirit, pa u lënë njerëzve kohë të kuptonin se çfarë po ndodhte.
Në kërkime po përdoren helikopterë, dronë dhe qen të specializuar, por rrugët dhe urat e shkatërruara po e vështirësojnë ndërhyrjen. Autoritetet paralajmërojnë për rrëshqitje të tjera dhe përmbytje të reja, ndërsa shkencëtarët po hetojnë edhe ndikimin e ngrohjes globale në shkrirjen e akullnajave të Himalajeve.
Fillimisht u dyshua për një tërmet me magnitude 4.4 ballët të shkallës Rihter, por analizat e Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara konfirmuan se tronditja u shkaktua nga shembja e akullnajës.
/rtsh.al/