Kategoria Superiore, Skënderbeu mposht Partizanin, Laçi fiton ndaj Vorës

TIRANË, 24 tetor/ATSH/ Skënderbeu ka mposhtur Partizanin me rezultatin 0-2 në duelin e javës së tetë të kampionatit “Abissnet Superiore”, duke thelluar krizën e të kuqve, ndërsa Laçi ka fituar 1-0 ndaj Vorës.
Në ndeshjen e zhvilluar mes Partizanit dhe Skënderbeut, pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa korçarët kaluan në avantazh në minutën e 56-të. Totre fitoi dhe ekzekutoi penalltinë, duke zhbllokuar rezultatin.
Në minutën e 88-të, Dejvid Janaqi vulosi fitoren e Skënderbeut me një gol të shënuar nga distanca.
Ky ishte suksesi i dytë radhazi për skuadrën korçare, e cila ngjitet në vendin e gjashtë me nëntë pikë të grumbulluara.
Në krahun tjetër, Partizani vijon momentin e vështirë, duke mbetur në vendin e fundit me vetëm katër pikë dhe pesë humbje radhazi.
Në takimin tjetër, Laçi ka mposhtur Vorën me rezultatin 1-0. Golin e fitores për kurbinasit e shënoi Kurti në minutën e 72-të, duke i dhënë fund rezistencës së Vorës dhe portierit Harizaj.
/gj.m/r.e/