E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kategoritë e ish-ushtarakëve që përfitojnë pension suplementar



Laureta Rryçi

Tiranë - Ushtarakëve që kanë dalë në rezervë, lirim apo pension, u është përcaktuar një masë pensioni në varësi të gradës dhe vjetërsisë së punës që kanë pasur. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm kategoritë e ushtarakëve që përfitojnë nga sigurimi shoqëror suplementar, kushtet që duhet të plotësojnë dhe masën e përfitimit. Sipas këtij ligji, përfitojnë jo vetëm ish-ushtarakët, por edhe familjarët e tyre në rastet kur i afërmi i tyre ka humbur jetën gjatë detyrës apo ka gjetur vdekjen për shkaqe të tjera. Natyrisht, për të përfituar këtë lloj pensioni suplementar, ish-ushtarakët duhet të plotësojnë një sërë kushtesh si dhe të përpilojnë disa dokumente për t’i dorëzuar më pas në ISSH.
Përfituesit
Sipas ligjit që është në fuqi, pension suplementar mund të përfitojnë oficerët dhe nënoficerët e Forcave të Armatosura, të Ministrisë së Rendit Publik, të Shërbimit Informativ Kombëtar dhe të strukturave të ish-Ministrisë së Brendshme. Në këtë listë janë përfshirë edhe policët, ushtarët rrogëtarë, familjarët në ngarkim të personave oficerë, nënoficerë, policë dhe ushtarë rrogëtarë që kanë humbur jetën. Në të njëjtën kohë ligji ka parashikuar se ish-Oficerët dhe ish-nënoficerët e Forcave të Armatosura nuk mund të përfitojnë pension suplementar në rastet ku janë nxjerrë në lirim për shkak se kanë braktisur detyrën apo janë dënuar me burgim për kryerjen e krimeve dhe kundërvajtjeve penale ushtarake me një vendim të formës së prerë të gjykatës.
Kushtet
Për të përfituar pension suplementar ish-ushtarakët ligji ka përcaktuar një sërë rregullash. Mund të përfitojë ata që do të kenë kohën e shërbimit aktiv sipas kritereve që janë përcaktuar.
Ligji e ka përcaktuar se do të njihet koha e shërbimit të përhershëm të ushtarakut (oficer, nënoficer, polic, ushtar rrogëtar). Koha e shërbimit në të cilën ushtarakët aktivë kanë marrë pjesë apo kanë ushtruar detyrat, funksionet a profesionet e treguara në listën bashkëlidhur këtij vendimi. Kjo kohë shërbimi, për efekt të llogaritjes së pensionit suplementar të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar, njihet dhe llogaritet në masën 1.5 fish.

Box
Përfituesit

1. Në rastet e nxjerrjes në rezervë, lirim a pension, përfitojnë nga sigurimet shoqërore suplementare për ushtarakët, personat si vijon:

a) Oficerët dhe nënoficerët e Forcave të Armatosura, të Ministrisë së Rendit Publik, të Shërbimit Informativ Kombëtar dhe të strukturave të ish-Ministrisë së Brendshme;

b) policët;

c) ushtarët rrogëtarë;

d) familjarët në ngarkim të personave të treguar në shkronjat "a", "b" dhe "c" të kësaj pike, të cilët kanë humbur jetën.

2. Personat e përmendur në pikën 1 më sipër, përjashtohen nga përfitimi i sigurimeve shoqërore suplementare në rastet si vijon:

a) kur nxirren në lirim për shkak se kanë braktisur detyrën;

b) kur janë dënuar me burgim për kryerje të krimeve dhe kundërvajtjeve penale ushtarake me një vendim të formës së prerë të gjykatës.

Kushtet për përfitim

A. Periudhat e vlefshme për përfitim

Në mbështetje të nenit 7 të ligjit, njihen dhe llogariten në kohën e shërbimit aktiv sa vijon:

1. Koha e shërbimit të përhershëm të ushtarakut (oficer, nënoficer, polic, ushtar rrogëtar).

2. Koha e shërbimit në të cilën ushtarakët aktivë kanë marrë pjesë apo kanë ushtruar detyrat, funksionet a profesionet e treguara në listën bashkëlidhur këtij vendimi. Kjo kohë shërbimi, për efekt të llogaritjes së pensionit suplementar të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar, njihet dhe llogaritet në masën 1.5 fish.

Të ardhurat mbi të cilat llogariten përfitimet

1. Në pagën referuese do të përfshihen: paga bazë për funksion dhe shpërblimi për gradën ushtarake.

Në pagën bazë për funksionin përfshihen:

a) paga bazë për klasën e funksionit organik;

b) shtesa për vjetërsi;

c) shtesa për vështirësi vendi e shërbimi;

d) shtesa për natyrë të veçantë pune.

Paga bazë për funksionin, për efekt të llogaritjes së përfitimeve nga ky ligj:

a) për ushtarakët e shërbimit aktiv, që kanë dalë në rezervë ose në lirim para datës së shtrirjes së efekteve financiare të Ligjit nr. 8521, datë 30.7.1999, është paga që ka ushtaraku i shërbimit aktiv me po atë funksion apo detyrë, më 1 janar 1999;

b) për ushtarakun e shërbimit aktiv, që ka dalë në rezervë ose në lirim gjatë periudhës 1 janar 1999 dhe datës së hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 8521, datë 30.7.1999 dhe e drejta për të përfituar sipas Ligjit nr. 8087, datë 13.3.1996 i ka lindur në çastin e daljes në rezervë ose në lirim, është paga që ka pasur vetë ushtaraku në këtë çast;

c) për ushtarakun e shërbimit aktiv, që ka dalë në rezervë ose në lirim pas hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 8521, datë 30.7.1999, dhe e drejta për të përfituar sipas Ligjit nr. 8087, datë 13.3.1996 i ka lindur në të njëjtin çast me daljen në rezervë ose në lirim, është paga që ka pasur ushtaraku aktiv në këtë çast;

ç) për ushtarakun e shërbimit aktiv, që ka dalë në rezervë ose në lirim pas hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 8521, datë 30.7.1999, dhe e drejta për të përfituar i ka lindur në një periudhë të mëvonshme, është paga që ka ushtaraku aktiv në po atë funksion apo detyrë në çastin që i lind e drejta për përfitim.

19 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›