Katër dëshmi që akuzojnë Ilia Bashon për vrasjen e të shoqes
TIRANË- Përkundër pretendimeve të mbrojtjes se Ilia Basho është i pafajshëm, gjyqtari Altin Shkurti pranoi kërkesën e prokurorit të çështjes, duke vlerësuar të ligjshëm arrestin dhe caktoi ndaj 38 vjeçarit masën e sigurisë arrest me burg, duke ngritur dyshime se ai është organizatori i vrasjes së bashkëshortes Eleni Basho. Sipas vendimit të gjyqtarit Shkurti, i dyshuari Ilia Basho është person nën hetim për akuzën e vrasjes me paramendim në bashkëpunim të ndodhur më 2 shkurt 2012 në Shkozë, ku u vra bashkëshortja e tij 33 vjeçare.
Seanca gjyqësore e vlerësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë me kërkesë të prokurorisë u zhvillua me dyer të mbyllura, ku mësohet se janë përmendur emrat e katër personave kyç që kanë drejtuar gishtin tek 38 vjeçari për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij. Vetë i arrestuari edhe pse ndodhej në sallën e gjyqit nuk ka pranuar të flasë për akuzën. Avokati mbrojtës Lazër Sokolaj ka këmbëngulur se klienti i tij është i pafajshëm. Klienti im është i pafajshëm për këto akuza që i ka ngritur prokuroria. Edhe ai vetë, edhe pse i tronditur nga ajo që i ka ndodh, është i interesuar të mësojë se kush është njeriu që i vrau bashkëshorten,- mësohet se është shprehur ndër të tjera avokat Sokolaj, i cili ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të 38 vjeçarit, babai i dy fëmijëve.
Këto pretendime i ka kundërshtuar prokurori i çështjes Etien Kapo, i cili ka renditur një sërë provash materiale, duke i cituar numrat dhe datat e procesverbaleve të deklarimeve të katër personave, që janë edhe dëshmitë kryesore që akuzojnë Ilia Bashon për vrasje. Gjatë hetimeve paraprake, kemi siguruar një sërë provash materiale, të cilat ia kemi vënë në dispozicion Gjykatës, siç janë procesverbalet e deklarimeve të katër shtetasve, dëshmitë kontradiktore të të dyshuarit Ilia Basho si dhe transkriptimin (zbardhje) e disa telefonatave dhe mesazheve të vetë të dyshuarit me persona të tjerë. Bazuar në këto të dhëna, i kërkojmë gjykatës që ndaj 38 vjeçarit Ilia Basho të caktohet masa e sigurisë arrest me burg deri në një vendim tjetër,- mësohet të ketë parashtruar prokurori Kapo.
Kjo vrasje, sipas akuzës, dyshohet se ka ndodhur pasi prej kohësh personi nën hetim Ilia Basho kishte probleme dhe kontradikta me bashkëshorten 33 vjeçari Eleni Basho, sidomos në kohën kur kjo e fundit, kishte mësuar për lidhjen jashtë martesore që bashkëshorti kishte me një vajzë tjetër. Pas renditjes së këtyre argumenteve të prokurorisë dhe mbrojtjes, gjyqtari Shkurti vendosi të pranoi kërkesën e organit të akuzës, duke izoluar në qeli 38 vjeçarin Basho i dyshuari si organizator i vrasjes së bashkëshortes. Shtetasja Eleni Basho u vra disa metra larg shtëpisë nga një person,- nënvizoi gjyqtari Shkurti, duke lexuar vendimin që e izoloi 38 vjeçarin në qeli, duke ngritur dyshime se ai mund të jetë organizatori i kësaj vrasje të ndodhur mbrëmjen e datës 2 shkurt 2012 në Shkozë të kryeqytetit.
Sipas prokurorisë, dy orë para vrasjes viktima ka qenë ulur së bashku me një shoqen e saj në një lokal, ku ishte ngritur për të ikur në banesë, ku mësohet se kishte pas një telefonat nga e bija 9 vjeçe. Dyshohet se autori ka qenë duke e pritur në errësirë, por, ka dyshime që ai edhe mund ta ketë ndjekur nga pas deri tek vendi i ekzekutimit. Vrasja e gjirokastrites mësohet se është bërë nga prapa shpinës, duke lënë të vdekur në vend. Çifti Ilia dhe Eleni Basho ishin te martuar prej shume vitesh dhe kishin një djalë 13 vjeç e një vajze 9 vjeçe nga kjo martesë.
Ilia Basho: Dyshimet e mia për vrasjen e Elenit
Pak ditë pas vrasjes së Eleni Bashos, i shoqi u shfaq nëpër media duke pohuar se vrasja kishte ndodhur për grabitje ose se e kishin ngatërruar me ndonjë person tjetër. Ai hodhi shumë dyshime dhe e largoi veten tërësisht nga krimi. Vrasjen e mësova nga dali Thanasi, i cili më mori në telefon dhe më tha që mami është shumë sëmurë dhe e kanë çuar me urgjencë në spital. Unë isha sipër Pazarit të Ri, po dorëzoja një porosi pranë një klinike private. Ora duhet të ketë qenë 6:30-7:00 e darkës më duket. Kam dëshmitarë personat të cilëve u kam dorëzuar porosinë në klinikën private,- ka thënë Ili Basho pak ditë më parë në lidhje me vrasjen e të shoqes. Duke folur për dyshimet mbi vrasësit, Ilia Basho ka thënë: Dyshimi im kryesor është që mund të kenë ngatërruar person, nisur edhe nga errësira dhe shiu i asaj nate. I pyetur nëse kishte dijeni që ishte person i dyshuar për vrasjen, ai ka thënë: Kjo është absurde. Ajo është nëna e dy fëmijëve të mi. E Thanasit dhe Athinasë, që tashmë janë jetimë. Vetëm kaq ta mendosh dhe të rrotullohet koka….
