E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcillet për në banesën e fundit komando Feti Vogli

Lindita Çela

Alma është vetëm 10 vjeçe, por që në mëngjes ka dalë në rrugën e fshatit sepse do të marrë pjesë në varrimin e komandos shqiptare që humbi jetën në Afganistan. Si ajo kanë dalë në rrugë edhe disa fëmijë të tjerë për të nderuar Feti Voglin, djalin e fshatit të tyre. Fetiu është njeriu që i ka dhënë Shqipërisë një hero, por fshatin e tij e ka pllakosur zija dhe çdo familje vajton për 31 vjeçarin.

Tek familja Vogli

Në Baldushk nuk ka fjalime për akte trimërie apo parakalime zyrtare. Ka veç njerëz të thjeshtë që me të zbardhur dita kanë ardhur për të ndarë dhimbjen me familjen Vogli. Një ritual ky që banorët e fshatit Baldushk kanë ndjekur prej pesë ditësh, që kur Bedri Vogli ka hapur dyert e mortit në shtëpinë e tij. Të heshtur janë vënë ne radhë për të shtrënguar duart me burrat e shtëpisë duke pëshpëritur nën zë: Dheu i qoftë i lehtë.

Teksa në dhomën e burrave ofrohet kafeja, nga dhoma e grave dëgjohen vetëm vajtime. Si e do zakoni, gratë e fisit Vogli kanë rrethuar xhenazen në mes të shtëpisë. E ëma vajton për të birin, të cilit nuk i shikon dot as fytyrën pasi arkivoli është i mbyllur. Katër orë janë shumë pak për tu ndarë përfundimisht me njerëzit e shtëpisë dhe një pjesë e banorëve të Baldushkut nuk ka mundur ti japë lamtumirën e fundit. Ata janë rreshtuar në të dy anët e rrugës dhe kanë hedhur trëndafila mbi arkivolin që mbahej peshë nga një grup i forcave speciale.

Homazhet

Gra të veshura në të zeza, në krye napë të bardhë e më këpucë me baltë sfidonin dhimbshëm tapetin e kuq e luksin e zyrtarëve të rreshtuar për të marrë pjesë në homazhet e organizuara në Pallatin e Kongreseve. Ky grusht njerëzish dallon lehtë nga pjesa tjetër e zyrtarëve të veshur me kostume të shtrenjta. Ata pritën për orë të tëra krerët e shtetit dhe politikanët shqiptarë.

Fjala e lamtumirës u mbajt nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Xhemal Gjunkshi. Ra në krye të detyrës. Ai ishte ushtarak i talentuar, një shtetas shembullor. Të afërmit humbën njeriu më të shtrenjtë, efektivët e Forcave Speciale humben kolegët e tyre, tha Gjunkshi.

Kapiteni Feti Vogli nuk iu përgjigj apelit të fundit të komandantit Dritan Demiri. Ka heshtur për tu përjetësuar në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. I ati, Bedri Vogli duhet të ngushëllohet me flamurin kombëtar, me të cilin ishte mbuluar arkivoli. E ndërsa Bedriu ka përfshirë në gji flamurin shqiptar, shokët e Fetiut mbajnë në krahë arkivolin. Të shtënat e armëve njoftuan se kapiten Feti Vogli do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve.

Berisha, Topalli e Nano, incident në ceremoninë e varrimit

E ndërsa qindra shqiptarë e përfaqësues të trupit diplomatik nderonin dëshmorin Feti Vogli, zyrtarët shtetërorë kanë lënë një njollë të zezë në ceremoninë zyrtare. Ka mjaftuar një gjest i vetëm për të treguar arrogancën e drejtuesve të shtetit shqiptar duke vënë në siklet përfaqësues të trupit diplomatik dhe njerëzit e thjeshtë.

Teksa të gjithë të pranishmit në ceremoninë mortore ishin vënë në radhë për të shkruaj ngushëllimet e tyre në librin e kujtimeve, pothuajse asnjë prej drejtuesve të shtetit nuk ka respektuar radhën.

Fillimisht ka qenë ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu ai që ka çuditur trupin diplomatik, të cilët gjestin e tij. Mediu pa pyetur e respektuar njerëzit që qëndronin në radhë ka zënë vend në tavolinën e librit të shënimeve duke lënë mesazhin e tij. Të njëjtin veprim ka kryer Fatos Nano dhe ministri i Inovacionit, Genc Pollo. Diplomatët e huaj sërish kanë heshtur për të pritur në radhë të linin mesazhin e ngushëllimet e tyre. Po kështu, pa denjuar ti hedhë një sy radhës së gjatë të diplomatëve dhe përfaqësuesve të politikës shqiptare ka vepruar kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Situata u bë shqetësuese dhe u desh ndërhyrja e punonjësve të protokollit që të shmangnin përsëritjen e gabimit nga ministrat dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë. Ata u detyruan të viheshin në rradhë duke i trembur me fjalinë: Kujdes se po shikojnë edhe të huajt.

Çfarë ndodhi përpara ceremonisë

06:15 Makina që mban trupin e pajetë të Feti Voglit ka dalë nga Morgu i Tiranës dhe është nisur për në, Baldushk, ku edhe do të kryhen ceremonia familjare.

04:11 Trupi i pajetë është ka mbërritur në morgun e Tiranës, ku do të kryhen procedurat e fundit dhe më pas, nga arkivol i vulosur prej plumbi, trupi i tij do të vendoset në një arkivol druri. Dhe do i dërgohet familjes.

03:18 Trupi është vendosur në makinën e funeralit. Kapitenët u kujdesën për vënien e sigurisë përreth ambientit për shkak të medieve të shumta. Lëvizja e makinës shoqërohej nga ushtarakë të veshur me uniformë ceremoniale. Trupat shoqëruese të arkivolit po përcjellin makinën deri në derën e aeroportit, ku edhe më pas do të niset autokolona e makinave, në përbërje të cilës janë edhe makina ushtarake.

03:16 Trupi është pritur me dhimbje dhe lot. Në aeroport është shtruar dhe një tapet i kuq.

03:13- Nis zbritja e arkivolit nga avioni luftarak amerikan. Arkivoli është i mbuluar me flamurin shqiptar. Trumbetat nisën të binin duke sinjalizuar zbritjen e trupit. Gjatë këtij momenti trupat që mbanin arkivolin ndaluan për ti dhënë lamtumirën e fundit kolegut të tyre.

03:10 Avioni Air Force është ndalur përpara vendit ku do të mbahet ceremonia e pritjes. Në aeroport ndodhen familjarë, ushtarak dhe familjarët. Tetë ushtarak të veshur me kostume ceremoniale u ngjitën në avion për të marrë arkivolin me trupin e të ndjerit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›