E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër oficerë në udhëkryq

TIRANË - Disa prej oficerëve të Policisë Gjyqësore që aktualisht janë të komanduar në hetimin e ngjarjes tragjike të 15 marsit, pritet të transferohen. Burimet konfirmuan faktin se Arben Frashëri nuk është më pjesë e grupit hetimor, pasi ditën e djeshme mori zyrtarisht detyrën e zëvendësdrejtorit të Policisë së Durrësit. Por ky nuk është emri i vetëm që përflitet për t’u transferuar. Mësohet se Ermal Milori është një tjetër hetues që pritet t’i bindet “urdhrit” të eprorëve. Me një eksperiencë prej 7 vjetësh në radhët e Policisë Gjyqësore, mësohet se Milori është emëruar si specialist i thjeshtë në Zyrën Kundër Vjedhjeve të Biznesit në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Tiranë. Burime brenda Prokurorisë së Përgjithshme thanë se ky hetues, i cili është komanduar me urdhër të kryeprokurores në dosjen “Gërdeci”, ka marrë tashmë emërimin dhe lëvizja e tij është thjesht çështje kohe. Një tjetër emër i përfolur për t’u transferuar me rritje në detyrë është dhe Ibrahim Hoxha. Këtij oficeri, sipas burimeve, mësohet se i është ofruar posti i zëvendësdrejtorit të hetimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Tefik Sulejmani është një tjetër hetues i cili pritet të transferohet, po me rritje në detyrë. Aktualisht Sulejmani mban detyrën e oficerit të Policisë Gjyqësore në sektorin “Taskë-Forcë” në Prokurorinë e Tiranës, dhe me urdhër të kryeprokurores është komanduar në hetimin e dosjes “Gërdeci”. Sulejmani pritet të marrë një detyrë të rëndësishme brenda strukturave të policisë, në njërin prej qarqeve më të mëdha të vendit. Në listën e transferimeve të pritshme mësohet se janë edhe të paktën dy oficer të tjerë, të cilët nuk e kanë pranuar “ofertën” për rritje në detyrë pa përfunduar hetimi i çështjes së “Gërdecit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›