PDK: Shëndetësia, Godo po emëron njerëzit e Gërdecit
TIRANË- Demokristianët kritikojnë reformën që ka ndërmarrë ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, sa i përket lëvizjeve në administratë. Nënkryetarja e PDK-së, Aida Joanidhi deklaroi dje se Partia Demokristiane priti që ministrja e re e Shëndetësisë, Anila Godo, të vazhdojë rrugën e reformave në përputhje me programin e qeverisë dhe detyrimin kushtetues për të garantuar shërbim shëndetësor më standarde perëndimorë për qytetarët shqiptarë. “Për fat të keq, ne vërejmë se ministrja Godo filloi një fushatë të egër spastrimesh në administratën e lartë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në institucionet e tjera kryesore shëndetësore, duke zëvendësuar njerëzit e reformës me njerëzit e Gërdecit, ose me individë të zgjedhur nga klubi i miqve dhe shokëve. Rasti më flagrant është zëvendësimi i Drejtoreshës së Spitalit Rajonal të Shkodrës, Alma Kurti, e vlerësuar në punën e saj edhe nga OSBE, Ambasada e Britanisë së Madhe dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, me kryetarin e PR-së së këtij qyteti”,- tha Joanidhi. Ndërkaq, sipas saj,
në Ministrinë e Shëndetësisë janë emëruar individë të huazuar nga administrata e lartë e ish-ministrit Mediu gjatë kohës që ai ishte ministër i Mbrojtjes, “duke kthyer kështu administratën e Gërdecit në Ministrinë e Shëndetësisë”. “Në spitalet rajonalë apo në drejtoritë e Shëndetit Publik, në disa raste po rikthehen në drejtim individë që janë larguar për abuzime me detyrën, ose paaftësi të theksuara në menaxhim”, -tha ajo.