Katër policët që "ndihmuan" Dritan Dajtin
Zbardhen pozicionet që mbajnë katër oficerët e Policisë së Shtetit dhe roli që ka pasur gjithsecili prej tyre në çështje
TIRANË- Prokuroria për Krimet e Rënda ka bërë dje publike disa nga detajet e katër agjentëve të policisë që kanë komunikuar me kunatin e Dritan Dajtit përpara operacionit për arrestimin e tij. Zyrtarët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të policisë (SHKB-së) të cilët po vëzhgojnë oficerët "spiunë" dhe ata të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që po hetojnë tashmë të arrestuarin Dritan Dajti për vrasjen e katër agjentëve të policisë, kanë zbardhur disa nga bisedat që katër oficerët kanë bërë me kunatin e Dajtit në ditët e arratisë së këtij të fundit. Sipas këtyre burimeve, mësohet se oficerët e identifikuar që flisnin me kunatin e Dajtit nga numri dy shifror i dhënë nga Ministria e Brendshme 06941xxxxx janë punonjës aktivë të Komisariateve të Korçës, ish-Lushnjes tashmë në Fier, Peshkopisë dhe Durrësit. Por prokuroria dhe policia janë treguar të rezervuan në publikimin e emrave të personave që kanë komunikuar me kunatin e Dajtit pasi ata ende nuk janë marrë në pyetje.
Personi që dyshohet se ka lidhjet më të forta me të arrestuarin është inspektori i krimeve në zonën e plazhit ku strehohej kohët e fundit Dajti. Gjithashtu, ka rezultuar se ky inspektor, përveç komunikimit të vazhdueshëm me kunatin e Dajtit, shtetasin Ergest Xhoxhi i ka dërguar një sms këtij të fundit vetëm 20 minuta para ndërhyrjes së Grupit të Operacioneve Speciale për arrestimin e Dajtit. Nuk bëhet e ditur përmbajtja e kësaj sms-je, por konfirmohet se edhe një natë para këtij operacioni, ky inspektor ka komunikuar me kunatin e Dajtit, ku i ka kërkuar këtij të fundit të mos e merrte më në numrin e punës me 06941xxxxx por në numrin tjetër 06920xxxxx. Sipas këtyre burimeve, asnjëri nga këta oficerë "spiunë" të Dritan Dajtit nuk është pezulluar nga detyra dhe nuk është marrë në pyetje, pasi pritet fillimisht zbardhja e bisedave dhe sms-ve të kryera mes tyre.
"Janë identifikuar oficerët që komunikonin me kunatin e të shumë kërkuarit Dritan Dajti, shtetasin Ergest Xhoxhi që njëkohësisht kryente edhe detyrën e shoferit të Dajtit. Ata janë punonjës aktivë të Policisë së Shtetit dhe kanë detyra të ndryshme në Komisariatet përkatëse. Njëri prej katër agjentëve, punon ende në Komisariatin e Policisë së Korçës, ku dyshohet se ka qenë personi që e ka ndihmuar Dajtin me pajisjen me një kartë policie të falsifikuar me emrin Agron Zeneli. Oficeri tjetër është punonjës i Komisariatit të Peshkopisë, që dyshohet se mund ta ketë ndihmuar të strehohet për disa kohë në këtë qytet apo ta ketë kaluar në Maqedoni pa vizë. Punonjësi tjetër që ka komunikuar me kunatin e Dajtit është një ish-punonjës i Komisariatit të Lushnjës tashmë punonjës pranë Komisariatit të Fierit. Ndërsa, personi i katërtë dhe që komunikonte më shpesh me kunatin e Dajtit është oficeri i Komisariatit të Durrësit, konkretisht inspektori i krimeve në zonën e plazhit"-thuhet nga burimet zyrtare të SHKB-së. Sipas këtyre burimeve, mësohet se inspektori i Durrësit përdorte dy numra telefoni për të komunikuar me kunatin e Dajtit, duke shkëmbyer edhe sms vetëm 20 minuta para ngjarjes.
Mësohet se këta oficerë po hetohen nga SHKB-ja dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda për të nxjerrë shkakun dhe arsyet që ata komunikonin me njëri-tjetrin vazhdimisht. Ndërkohë, hetuesit e çështjes hedhin dyshime se Dajti apo kunati i tij Xhoxhi, mund të kenë komunikuar edhe me zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët kundrejt ryshfetit i kanë siguruar atij paprekshmëri për rreth 6 vite. Por, këto dyshime priten të zbardhen me ardhjen e përgjigjeve nga kompanitë celulare në vend, ku është kërkuar identifikimi i të gjitha bisedave të bërë gjashtë muajt e fundit nga numrat e telefonit që përdorte Dajti dhe kunati i tij Xhoxhi.
Kush janë katër agjentët
Një nga agjentët punon ende në Komisariatin e Korçës dhe dyshohet se ka qenë personi që e ka ndihmuar Dajtin me pajisjen me një kartë policie të falsifikuar me emrin Agron Zeneli.
Oficeri që është punonjës i Komisariatit të Peshkopisë, dyshohet se mund ta ketë ndihmuar të strehohet për disa kohë në këtë qytet apo ta ketë kaluar në Maqedoni pa vizë
Një ish-punonjës i Komisariatit të Lushnjës tashmë punonjës pranë Komisariatit të Fierit ka komunikuar disa herë me kunatin e Dajtit. Ende nuk dihet roli i tij në këtë çështje
Personi i katërt dhe që komunikonte më shpesh me kunatin e Dritan Dajtit është oficeri i Komisariatit të Durrësit, konkretisht inspektori i krimeve në zonën e plazhit