E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër stinët e Gjirokastrës...

Gjirokastër- “Nëse do një foto ku Gjirokastrës t’i mbulohen defektet, duhet zgjedhur stina e pranverës; në verë për shkak të ndriçimit të fortë, është mirë të fotografohen detaje të veçanta; vjeshta sjell përshtatshmërinë e grisë së qytetit, ndërsa dëbora i jep madhështinë”. Kështu i përkufizon katër stinët e vitit në Gjirokastër, nëpërmjet objektivit të aparatit fotografik, Zyhdi Hyka, autor i qindra fotografive të qytetit të gurtë, në të gjitha këndvështrimet dhe momentet e tij më pikante. Prej 12 vitesh, puna si fotograf është kthyer edhe në një pasion shumë të madh për të fiksuar në objektiv gjithçka që tërheq vëmendjen e tij.

***

Nëse dëshiron një foto të Gjirokastrës, apo të zonave të veçanta të jugut të Shqipërisë, mund t’i gjesh në një miniekspozitë modeste, të çelur në ambient të hapur. Dhjetëra foto mund të të ofrohen, në formatin, pozicionin dhe kohën e kërkuar. E hapur në kuadër të një takimi të përbashkët ndërmjet dy rajoneve greke e shqiptare, vijueshmëria e saj u pa si një pjesëz që i mungonte qytetit. Kërshëria i shtyn kalimtarët të kthehen, të vështrojnë e në shumë raste edhe të blejnë. Janë kryesisht emigrantët, blerësit më të shumtë në këtë ekspozitë të improvizuar, ndërsa nuk mungojnë edhe rastet kur fotot shërbejnë për dhurata. “Banorë të qytetit të Gjirokastrës dhe emigrantët që kanë ardhur me pushime i blejnë më shumë fotografitë, sipas preferencave të tyre, të mëdha apo të vogla, në korniza ose jo. Ka shumë që i marrin për t’ia dhuruar dikujt, ndërsa pjesa tjetër për kujtim. Fotot e Gjirokastrës kanë mbërritur deri në SHBA. Pjesa më e madhe e kërkesave janë për fotografi nga pjesa muzeale e qytetit, por nuk mungojnë as kërkesat për vende të veçanta e të bulura të katër rretheve të jugut, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet e Sarandë”, -shprehet Zyhdi Hyka, i cili për çdo ditë e pasuron miniekspozitën e tij me prurje të reja.

***

Megjithëse zona muzeale e qytetit të gurtë numëron në arkivin e tij rreth 1 mijë shkrepje, pasioni për ta risjellë atë në momente e elementë të veçantë nuk mungon. Të gjitha shtëpitë karakteristike duke përfshirë fasadën e jashtme dhe pjesët e brendshme, kalaja, muzeumet, portat e detajet janë të fiksuara në aparat prej tij. “Detajet më shtyjnë të fotografoj vazhdimisht, pasi në mënyrë të veçantë qyteti i Gjirokastrës ka shumë detaje. Një portë, një objekt karakteristik, një element megjithëse të vogël, nëse e sheh dhe e sjell në këndvështrimin e duhur, mund të realizosh një fotografi të mrekullueshme”,- rrëfen Zyhdiu. E nëse e pyet se cili është momenti më i mirë për të pasur rezultat në shkrepje, duket se për qytetin e Gjirokastrës është paraditja dhe mesdita. “Fotot artistike në natyrë nuk bëhen kur i do ti, por kur krijohen kushtet e përshtatshme për t’i realizuar ato. Në Gjirokastër, për shkak të ngjyrës së veçantë të qytetit, periudha më e mirë është ora 09.00 deri më 14.00, në mënyrë që foto të dalin sa më origjinale’,- vijon më tej ai.

FOTOGRAFI

“Dhurata për kosovarët,

500 fotot më të bukura”

Arkiva e tij personale numëron mijëra foto, nga të katër rrethet jugore, Tepelenë, Përmet, Gjirokastër e Sarandë, duke përfshirë peizazhet, vendbanimet historike, pikat më të bukura turistike. Atë ç’ka ai e vlerëson si një punë të bukur të realizuar prej tij janë 500 fotot, dhuratë për kosovarët e mbërritur në Gjirokastër në vitin 1998. “Çdo shkrepje e asaj periudhe është stampuar me logon: “Mirë u takofshim në Kosovën e lirë!” dhe sa herë që ata bashkëkombasit tonë të shohin fotot do të kujtojnë menjëherë Gjirokastrën”, -vijon fotografi.Dy albume të botuara gjatë viteve 2006 e 2007 dhe bashkëpunimet në ndërtimin e disa guidave kanë qenë punë që i kanë dhënë një kënaqësi të veçantë. “Në vitin 2006 ka dalë në qarkullim albumi me pamje nga trevat e jugut, ndërsa një vit më pas, më 2007, albumi fotografik me 12 portat më të veçanta e më madhështore të shtëpive gjirokastrite. Për këto albume ka pasur mjaft kërkesa, ndërsa guida turistike e qarkut Gjirokastër kishte në brendësi të saj 333 foto nga rajoni, duke përfshirë anën muzeale, anën historike, biznesin, vendet më të bukura”, -tregon Zyhdi Hyka.

“Do fotografoj deri në fund”

Ndërsa vazhdon të presë qytetarë që u tregon dhe shpjegon fotot e servirura, Zyhdiu rrëfen se pas kaq vitesh, fotografia është bërë pjesë e pandashme e jetës së tij dhe megjithëse ftimet e nxjerra prej saj nuk janë të shumta, nuk do të heqë dorë. “Ana ekonomike nuk lë mundësi për shpalosjen e gjithë punës, por gjithsesi unë do vazhdoj të fotografoj, derisa të kem mundësi”. Në këtë mënyrë mbyllet bashkëbisedimi me fotografin Zyhdi Hyka, i cili si shumë kolegë të tjerë të tij, me punën e kryer ditë pas ditepromovon disi ndryshe rajonin jugor dhe vlerat e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›