E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sensi (i munguar) i korrigjimit

Qeveria e sotme e shqiptarëve, në të gjitha perfomancat e saj, (nga “Berisha 1” në “Berisha 4”) nuk ka ndryshuar vetëm në një gjë, në kokëfortësinë e saj për të mos pranuar asnjë fije përgjegjësie e devijimi, për asnjë fushë të veprimtarisë së vet, në asnjë raport me të tjerët, kurrherë. Kohë pas kohe, iu është shkuar përanash pothuaj të gjitha kritikave a denoncimeve të mediave vendase e të huaja, të partnerëve ndërkombëtarë, të opozitës - në krejt spektrin e vet - e kështu më tej. U larguan diplomatët e huaj në kohën që raportonte Prokurorja e Përgjithshme në Kuvend, si edhe në çastet e sherrit midis kryeministrit dhe një deputeti të opozitës; por u tha menjëherë se ishte një “keqkuptim”. S’kanë kaluar veçse pak orë nga publikimi i kritikave dhe aludimeve të një diplomati amerikan për shpërfytyrimin e raporteve të qeverisë me institucionet kryesore të vendit; dhe ato janë hedhur poshtë sakaq. Pa kurrfarë mëdyshjeje dhe pa gjetur kund ndonjë të vërtetë në to... Jo vetëm që s’janë bërë hapa prapa, por përkundrazi, janë bërë shumë hapa përpara(!) Kjo veç, është një histori e hershme. Ajo fillon që kur shumica e sotme, shumicë edhe atëherë, humbi zgjedhjet e para vendore dhe, më pas, referendumin për Kushtetutën, në vitin 1994; kur rrahu gazetarë e deputetë dhe shkatërroi procesin zgjedhor në vitin 1996; kur u përpoq të shtypte me dhunë revoltat popullore për shkak të falimentimit të shoqërive rentiere në vitin 1997; kur me arkivolin e të ndjerit Azem Hajdari, iu vërsul institucioneve e deshi të rrëzonte shtetin. Kështu, mjaft delikate kjo historia jonë me... hapa, para e prapa.

Pas zgjedhjeve të vitit 2005, u duk sikur shumë gjëra do të ndryshonin; edhe slogani i atëhershëm ishte “Koha për ndryshim!” Qytetarët shqiptarë pritën të luftohej korrupsioni, që ua kishte sjellë në majë të hundës; pritën të ndërtohej shteti ligjor, që kishte qenë dhe mbeti një parullë në letër. Ndryshimi nuk erdhi asnjëherë siç duhet, nuk u pa askund. Dhe një nga treguesit kryesorë pse ai u vonua dhe po vonohet, është pikërisht mungesa e sensit të mirëkuptimit, që do të sillte më pas korrigjimin. Për vite të tëra, KLSH ka denoncuar teprimet, madje abuzimet e administratës së tanishme e të institucioneve shtetërore; asnjëherë nuk janë pranuar shifrat dhe vërejtjet e këtij institucioni. Përkundrazi, është aluduar sakaq për shkeljet e bëra në kohën kur qeverisnin socialistët. Qeveria apo qeveritë e kryesuara nga Berisha, nuk kanë pranuar për asnjë çast dhe asgjë nga një sërë skandalesh, të përjetuara në mendjemadhësi dhe me agresivitet politik. Nuk është pranuar ndershmërisht skandali më i madh i këtyre dy dhjetëvjeçarëve të fundit, tragjedia e Gërdecit dhe afera e armëve. “Një shpërthim në një depo private”, e quajti një deputet demokrat, që për turpin e tij, ka qenë edhe ushtarak dikur. “Aksident teknologjik”, e cilësoi dikush tjetër, nën ndikimin e pohimeve të shefave të tij. Nuk dihet si do të shndërrohet qenia e tyre dhe çfarë do t’iu mbetet për të thënë, kur 15 marsi dhe gjithë orët e errëta para dhe pas tij, të zbardhen një ditë plotësisht. Qeveritë e sotme të shqiptarëve, nga 1 tek 4, asnjëherë nuk pranuan qoftë edhe një grimë nga akuza për shkelje ligjore dhe shpërdorime në rrugën Kukës-Durrës, posaçërisht në segmentin Rrëshen-Kalimash. Përkundrazi, ata që kërkojnë transparencë për fondet e kësaj vepre të rëndësishme, cilësohen si armiq të përparimit dhe, më e pakta, jo patriotë(!)

Sot, analistë të ndryshëm, e gjejnë edhe në rritje, edhe me halle të mëdha ekonominë shqiptare. Një nga faqet më të errëta të saj, është tabloja e deficit tregtar; që do të thotë se ende nuk stimulohet siç duhet prodhimi vendas. Mirëpo edhe në këtë fushë nuk pranohet asnjë vërejtje, kurrsesi; vetëm lançohen me të madhe shifrat e rritura të eksportit dhe ato - tejet të rritura - të importit. Kemi patur rastin t’i ofrojmë lexuesit të nderuar edhe më parë, disa të dhëna që tregojnë për raportet normale midis eksporteve dhe importeve në pothuaj gjithë vendet e rajonit tonë. (Kështu, Kroacia e ka totalin e eksporteve 10.61 bilion USD, kurse totalin e importeve 21.12 bilion USD; Bullgaria, eksportet: 15.06 bilion, importet 21.87 bilion USD; Bosnjë-Hercegovina, eksportet 3.382 bilion USD, importet 7.618 USD; më në fund, Maqedonia, eksportet: 2.396 bilion USD, importet: 3.682 bilion USD). Ka pra, hendeqe e “hapa të pahedhura”, që s’mund t’i justifikojë asnjë lloj e ardhure nga Doganat apo nga rritja e taksave dhe e sigurimeve për gjithë popullatën. Mirëpo megalomania nuk i lejon qeveritë e shqiptarëve t’i vështrojnë me realizëm këto raporte. Sikundër kritikat e partnerëve të huaj. Në se na pëlqen të mburremi, është e thjeshtë: Fryma prej “kampioni” do të duhej që të reflektohej edhe në raportet që u zunë goje më sipër, pastaj edhe në mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. Një nga studimet e fundit (jo të INSTAT) ka treguar se vendi ynë qëndron në radhë i teti (në Ballkan), përsa i takon PBB-së për frymë. (Kujtojmë vetëm disa nga të dhënat e PBB për frymë tek vendet fqinje. Ndërkohë që ne po afrohemi tek shifra 5.000 USD, Kroacia e ka PBB-në për frymë 13.400 USD; Bullgaria: 10.700 USD; Rumania: 9.100 USD; Maqedonia: 8.300 USD, etj.). Duket sheshit se sot për sot, jemi kampionë për demagogji. Atëherë, le t’i kthehemi edhe njëherë thelbit të çështjes: Na mungon sensi i mirëkuptimit dhe pastaj i korrigjimit. Ky element zëvendësohet rëndom me mburrje (pothuaj të tipit komunist) mbi rritjen ekonomike më të madhe, reformat demokratike më të suksesshme dhe taksat më të ulëta. (Në... rajon po se po, por edhe në Evropë e më gjerë). Kjo rrëfen për mungesën e efektivitetit të reformave dhe, sidomos, për luhatje provinciale të një mentaliteti që kushedi kur e ka “kohën për ndryshim”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›