Katër vatra zjarri pranë Lundrës në Tiranë, strukturat e emergjencave vijojnë gjatë natës punën për izolimin e flakëve

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Forca zjarrfikëse, të policisë si dhe nga Forcat e Armatosura janë të angazhuar në luftën me flakët në afërsi të Lundrës, pranë fshatit Priskë, ku janë evidentuar rreth katër vatra zjarri.
Gazetari Arbi Fortuzi dhe fororeporteri Florian Abazaj kanë ndjekur nga afër përpjekjen e jashtëzakonshme të strukturave gjatë orëve të vona pas mesnate dhe pa ndërprerje në betejë për izolimin e flakëve që kanë përfshirë kodrat në zonën e Priskës së Madhe në Tiranë.
Forcave zjarrfikëse të kryeqytetit u janë bashkuar edhe ato të Kamzës dhe Elbasanit dhe po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa në terren ndodhen edhe drejtues të Policisë, zjarrfikës dhe struktura të emergjencave civile.
Terreni i vështirë, i kombinuar me erën, po e vështirëson ndërhyrjen dhe përpjekjet për izolimin e vatrave. Në operacion janë angazhuar gjithashtu banorë të zonës, në bashkëpunim me forcat e emergjencave.
Situata vijon të monitorohet, ndërsa prioritet mbetet frenimi i përhapjes së zjarrit dhe mbrojtja e zonave të banuara, të cilat rrezikohen nga përhapja e flakëve.
Në terren janë të angazhuara në operacion forcat zjarrfikëse, Forcat e Armatosura, emergjencat civile, Policia e Shtetit, strukturat e pushtetit vendor dhe ekipet e tjera të përfshira në përballimin e situatës.
FOTOREPORTER: Florian Abazaj/Arbi Fortuzi