18-vjeçari që goditi me shkelma një luan deti përballet me burg dhe gjobë

SAN DIEGO, 14 gusht, ATSH/ Një 18-vjeçar nga La Jolla, San Diego, Tyler Muehl, u deklarua fajtor në gjykatën federale pasi u filmua duke goditur vazhdimisht me shkelma një luan deti në La Jolla Cove, më 22 korrik.
Sipas prokurorisë amerikane, i riu iu afrua kafshës duke marrë pozë sikur do të ndeshej me të dhe madje u prezantua si ylli i UFC-së, Max Holloway. Ai e goditi luanin e detit katër herë, dy prej tyre në fytyrë, dhe e ndoqi edhe kur kafsha tentoi të largohej.
Pamjet u bënë virale dhe shkaktuan reagime të forta. Autoritetet amerikane e akuzuan për shkelje të Marine Mammal Protection Act, ligji federal që mbron gjitarët detarë. Për këtë vepër ai rrezikon deri në një vit burg dhe 100 mijë dollarë gjobë. Vendimi për dënimin pritet më 20 tetor.
”Krim federal. Pasoja federale.” – deklaroi prokurori amerikan Adam Gordon.