Kathimerini: TAP, projekti fitues. Reagon edhe Berisha: Fitoi Shqipëria
Gazeta prestigjioze greke, Kathimerini, ka konfirmuar se konsorciumi i Shah Denizit ka vendosur të përzgjedhë si projektin më të mirë i cili do të çojë gazin natyror nga Azerbajxhani në Europë, gazsjellësin TAP.
Numri 2 i SOCAR dhe aksioneri i madh i konsorciumit Shah Deniz kanë informuar për këtë zgjedhje kryeministrin grek Antonis Samaras në takimin e tyre në mesditën e së mërkurës.
Lajmin e përforcon edhe gjiganti austriak i energjisë OVM, i cili thekson se është hedhur poshtë plani i gazsjellësit NABUKO nga investitorët e programeve energjetike në Europë.
Pas kësaj ka reaguar edhe kryeministri Berisha, i cili ka shkruar në Facebook ky është projekti i shekullit.
Të dashur miq, projekti i gazsjellësit TAP u përzgjodh. Fitoi Shqipëria, projekti i shekullit për ne, shkruan Berisha, i cili nuk ka hedhur asnjë status në Facebook që prej së dielës.
Greqia, Shqipëria dhe Italia mbështetën këtë projekt që në fillimet e tij.
TAP është i vetmi projekt që prek territorin e vendit tonë dhe sipas pritshmërisë ndërtimi i tij do të sjellë miliarda lekë investime si dhe mijëra vende të reja pune./b.l
