TAP shpallet fitues Mediat greke Vendimi behet publik te premten

Gazsjellësi TAP është përzgjedhur si projekti fitues për të sjellë gazin nga Azerbajxhani në Europë. Mediat greke njoftojnë se vendimi I është komunikuar kryeministrit grek Antonis Samaras gjatë takimit që ai pati gjatë paradites me përfaqësues të konsorciumit të Shah Denizit.
Kreu i qeverisë greke u njoh me vendimin nga numri dy i kompanisë shtetërore të energjisë së Azerbajxhanit, Elshad Nasirof dhe zv/presidenti i kompanisë British Petrolium.
Në Athinë ndodhet edhe drejtori i projektit TAP, Kjetil Tungland, per te nenshkruan në hotelin Grand Bretania marrëveshjen mes Greqisë dhe kompanisë TAP.
Mediat greke raportojnë se vendimi për TAP është përfundimtar dhe do të publikohet zyrtarisht të premtem nga vetë konsorciumi i Shah Denizit. Ky vendim do t’u komunikohet edhe qeverive të Shqipërisë e Italisë, ndërsa njoftimet zyrtare janë lënë për në 28 Qershor. Qeveritë e tri vendeve e kishin shprehur që më parë optimizmin për shpalljen fitues të projektit TAP kundrejt rivalit të tij Nabuko Uest.
Përgjigje negative kanë marrë qeveritë e Sofies, Bukureshtit, Budapestit dhe Vienës, të cilat ishin të interesuara për projektin tjetër në garë.
Lajmi ishte bërë publik të dielën nga disa agjenci rumune lajmesh, ndërsa një ditë më parë agjencia New Europe me seli në Bruksel publikoi ekskluzivisht lajmin për shpalljen e fitues të projektit TAP.
Pak ditë më parë edhe kreu I Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso tha gjatë takimit me presidentin Aliev në Bruksel se përzgjedhja e projektit do të bëhej bazuar mbi efiçencën dhe kostot e tregut, duke lënë të nënkuptohet se më i avantazhuar ishte gazsjellësi TAP.
Tap shihet si një prej investimeve më të mëdha që do të ndryshojë peshën strategjike dhe rolin e Shqipërisë dhe Greqisë në rajon e më gjerë. Ndërtimi i tij pritet të nisë vitin e ardhshëm dhe të përfundojë në vitin 2018.