Katragjini: Masë ndaj deputetëve socialistë, thyen rregullat

Zëdhësja e policisë së Tiranës Alma Katragjini, në një konferencë për shtyp ka bërë me dije se disa prej anëtarëve të Partisë Socialiste në të cilën përfshihen Paulin Sterkaj, Tom Doshi, Eduart Shalsi, Sajmir Tahiri, Armando Prenga, Fatmir Xhafa, Besnik Bare, Gazmir Bizhga, Dashnor Peza, Taulant Balla, Fidel Ylli, Armando Subashi, Arben Ahmetaj, Artan Gace, Fatmir Toci dhe Blendi Klosi, per shkak te thyerjes se rregullave jane denoncuar ne Prokurori.
Njëherazi materialet u referuan në Prokurori për konsumim të veprës penale të "Kundërshtimit me dhunë të punonjësve të Policisë si dhe "Fyerjes për shkak të detyrës, pasi nga hetimet e kryera deri më tani u arritën të identifikohen 7 shtetas, me preçedent kriminal të cilët kanë ushtruar dhunë mbi forcat e policisë dhe janë shtetasit : Shpëtim Marku, Ibrahim Porja, Urim Marku, Dritan Aga, Genc Lulja, Marjo Lulja Florjan Serjani, Ardit Kaja.
Këto shtetas në bashkëpunim me njëri tjerin, kanë ushtruar dhunë së bashku me disa deputetë të Partisë Socialiste, duke kaluar kordonin e policisë, ndërkohë që përkrahës dhe simpatizantë të tyre, kanë qëndruar jashtë portës hyrëse të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, duke shtyrë, goditur me sende të forta dhe fyer forcat e policisë, me synim kalimin me dhunë të kordonit të policisë, i cili ishte vendosur me planizimin në pjesën hyrëse të Komisionit, bazuar në vendimin e këtij të fundit.
Sërisht, policia e Tiranës fton pjesëmarrësit në tubim, të distancohen nga aktet e dhunës dhe të shmangin çdo lloj provokimi apo goditje ndaj forcave të policisë, të planizuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.