E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kavajë ; Arrestohet ish-kreu i komunës Helmes, abuzoi me detyrën

Arrestohet ish-kryetari i komunës Helmes të Kavajës, pasi dyshohet për shpërdorim detyre në kohën që ishte kryetar komune në vitet 2004-2007. Fatmir Celhaka, është vënë në prangat e policisë një ditë më parë teksa ndodhej në ambientet e një lokali pranë Malit të Robit në Kavajë. Lajmi është konfirmuar dje nga burime të policisë lokale, sipas të cilave ish-kreu i komunës Helmes dyshohet se përgjatë viteve 2004 deri në vitin 2007 në ushtrimin e detyrës së tij si kryetar komune i ka shitur një shtetasi duke e tjetërsuar pronën e shtetit, rreth 12 dynymë tokë shtetërore të komunës Helmes në Kavajë. Gjithashtu, sipas hetimeve për këtë çështje ka rezultuar se kjo sipërfaqe toke, ishte tokë bujqësore me vreshta dhe dyshohet se Celhaka i ka shkaktuar shtetit dëme të konsiderueshme financiare. Ndaj tij u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë për konsumim të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim.