E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku ; Kapet Dobjani me 80 kilogram marijuanë



Vranësirat e djeshme duket se nuk i kanë penguar agjentët e antidrogës të ndërmarrin aksionin “blic” në rrugën e lagur që të çon në Gjirokastër. Nga të dhëna të marra në rrugë operative, policia ka zbuluar se në këtë aks rrugor po lëvizte një automjet që transportonte drogë. Për këtë arsye, agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës kanë organizuar menjëherë planin për të ndaluar trafikun derisa postblloku i ngritur përgjatë kilometrave të aksit rrugor Tepelenë – Gjirokastër, pikërisht në vendin e quajtur Ura e Lumit, ka sjellë më në fund “prenë” në duart e tyre. Në automjetin tip Volksvagen Polo me targa TR 88 68 L, policia ka gjetur të fshehura plot 40 pako në formë cilindrike, të mbështjella me letër natriban me ngjyrë kafe, me peshë 2 kilogramë secila, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike e llojit Marijuanë, ndërkohë që në pranga është vënë drejtuesi i mjetit, Qani Dobjani, 51 vjeç nga Kavaja. Arrestimi i tij është konfirmuar një ditë më parë nga zëdhënësi i policisë së qytetit jugor, Genti Soti, sipas të cilit, pas verifikimeve të bëra, rezultoi se mjeti ishte marrë me qera tek përfaqësia e “Volksvagenit” në kryeqytet dhe udhëtonte në drejtim të Fierit. Ndërkaq, policia ka bërë me dije se tashmë po punohet për zbardhjen e plotë të këtij trafiku, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë trafik, ndërsa materialet hetimore i kanë kaluar prokurorisë së rrethit.

Operacioni i organizuar i agjentëve të krimit të Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës mesditën e djeshme ka korrur suksesin e radhës. Pas të dhënave të marra për një sasi lënde narkotike që ishte nisur nga qyteti jugor dhe lëvizte në drejtim të Fierit, agjentët kanë ngritur menjëherë shumë postblloqe përgjatë gjithë kilometrit që lidh dy qytetet. Sipas të dhënave të policisë, është bërë e ditur se është dashur një kontroll i imtë në makinat e shumë drejtuesve të ndryshëm, të automjeteve që lëviznin në këtë drejtim. Megjithatë, pas një pune të gjatë dhe kontrolli të njëpasnjëshëm të makinave, në mesditë punonjësit e policisë kanë mundur ta mbyllnin me sukses punën e tyre të gjatë. Në kontrollin që i është bërë një “Volksvageni” me targa TR 88 68 L, që më pas rezultoi të ishte marrë me qera tek përfaqësia e kësaj firme automjetesh në kryeqytet, policia ka gjetur sasinë e drogës që pritej.

Gjatë kontrollit të bërë në sediljen e prapme të këtij automjeti, janë gjetur të fshehura 40 pako në formë cilindrike, të mbështjella me letër natriban me ngjyrë kafe, me peshë 2 kilogramë secila, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike e llojit Marijuanë.

Policia ka sqaruar gjithashtu se aksioni i shpejtë nuk i ka lënë mundësi drejtuesit të mjetit, Qani Dobjani nga Kavaja, të kthehej nga rruga. Ndërkohë, të dhëna të policisë kanë sqaruar se sasia e drogës e kapur dje ishte për qëllime trafikimi dhe më konkretisht, furnizimin e tregut të qendrës së vendit nga përdoruesit e këtij narkotiku. Të dhëna nga ana e policisë kanë bërë të ditur se operacioni nuk ka mbaruar ende, pasi dyshohet se në këtë rrjet trafiku bëjnë pjesë dhe persona të tjerë.

I arrestuar

Qani Dobjani, 51 vjeç nga Kavaja

Sekuestruar

40 pako në formë cilindrike, të mbështjella me letër natriban me ngjyrë kafe, me peshë 2 kilogramë secila, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike e llojit Marijuanë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›