E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inati i socialistëve ndaj Kryetares se Parlamentit

Diskutimet javën e fundit në Parlament janë bërë shumë të ndezura, me tone të larta, ku në qendër të tyre ka qenë zbatimi i procedurave parlamentare. Madje në seancën e kaluar gjithë grupi socialist ishte vënë në radhë për të diskutuar për procedurë, duke e kthyer Kuvendin nga një vend idesh, në një organizëm ushtarak. Madje njëri nga deputetët opozitarë, i konsideruar si “mister procedura”, gjatë tre viteve ka folur vetëm për zbatimin dhe moszbatimin e procedurave dhe asnjëherë nuk e kemi dëgjuar të thotë një mendim të tij apo një ide konkrete për temën e ditës. Mendoj se në Parlament kemi ardhur për të mbrojtur interesat e zgjedhësve tanë, për të dhënë opinionin tonë gjatë hartimit të ligjeve dhe për të bërë politikë me idetë dhe mendimet tona. Prandaj edhe sot po mundohem të jap një qëndrim personal mbi zhvillimet e fundit politike. Nga gjithë kjo zallamahi nga diskutimet procedurale, kuptova qartësisht diçka të rëndësishme, se gjithë socialistët, të gjatët dhe të shkurtrit, kishin një inat të madh me Kryetaren e Parlamentit shqiptar. Prandaj i thirra arsyes të kuptoj se ku qëndron gjithë ky mllef ndaj znj. Topalli, kur ajo është një e barabartë mes të barabartëve, siç e thonë ata vetë. Mos ndoshta fakti që ajo është femra e parë në krye të Parlamentit shqiptar, mos vallë kjo gjë është akoma e parakohshme për një shoqëri maskiliste si ajo e jona?

Për më shumë, në krye të Parlamentit, ku janë të mbledhur gjithë të mandatuarit e popullit, dhe ku prej afro 100 vjet ky vend ishte drejtuar vetëm nga burra. Por ndryshova menjëherë mendim kur dëgjova diskutimet linçuese të disa grave deputete të së majtës, madje mendova shumë keq për idenë e mësipërme, kur dëgjova urrejtjen me të cilën fliste një deputete femër me zë të trashë. Pra, ky inat nuk qenka problem maskilist apo feminist, por akoma më i thellë. Ndofta problemi qëndron tek origjina e zonjës Topalli, apo siç i thoshin në kohën e tyre, biografinë e saj. Dihet nga të gjithë, por më mirë nga ne që jemi nga Veriu i Shqipërisë se znj. Topalli rrjedh nga një familje tipike e djathtë.

Të them të drejtën këtu u frikësova edhe unë sepse thashë se socialistët të njëjtin inat e kanë edhe me mua që kam të njëjtën origjinë, por nuk kanë pasur akoma kohë që të ma shprehin.

A thua mos paraardhësit e tyre ua kanë lënë amanet që lufta e klasave të vazhdojë edhe në kapitalizëm, në mënyrë të tillë që asnjë nga familjet tradicionalisht të djathta të mos jetë në drejtim, që asnjë nga pinjollët e tyre të mos drejtojë Shqipërinë. Kjo ide m’u forcua akoma më shumë kur solla në mend ish-kryetarët e Kuvendit të Shqipërisë.

Me përjashtim të të nderuarit Arbnori, pasuesit e tij ishin komunistë, një ministër punist që në dhjetor të ‘90-s vinte në universitet për të shtypur “lëvizjen studentore”. I pasuar nga një ish-kandidati për President që nuk mori as votën e vet gjatë farsës, me Ramiz Alinë. Dhe së fundi, profesori i Marksizmit që nuk u nda për asnjë çast nga filozofia e tij e luftës së klasave. Mungesa e një pinjolli të nomenklaturës në krye të Kuvendit është një arsye e fortë për tërbimin e socialistëve ndaj status quo-s aktuale. Megjithatë, mendoj se sado e madhe të jetë urrejtja klasore e mikluar nga paraardhësit te pasardhësit, kjo nuk është e mjaftueshme për të justifikuar veprimet e tyre. Nuk mund ta harroj kurrë korrikun e 2006-ës, kur ish-kryeministra, ish-ministra socialistë kërcyen mbi tavolina për ta linçuar fizikisht Kryetaren e Kuvendit. Së fundi, ndofta problemi i vërtetë qëndron te origjina e Kryetares së Kuvendit, nga Shkodra, një qytet i kulturës dhe i artit, zanafilla e vetëdijes kombëtare, qendra e rezistencës antikomuniste, pikënisja e lëvizjes demokratike për përmbysjen e pushtetit të të parëve të tyre. Të them të drejtën, këtë nuk dua ta besoj, madje edhe kur gjej argumente të mjaftueshme për këtë fakt, i mbush mendjen vetes që gjithë hipoteza është e gabuar.

Po si shpjegohet atëherë gjithë ky inat me një Kryetare Kuvendi, jo që për herë të tretë kërkohet të shkarkohet, gjë e cila nuk ka ndodhur me kryetarët e tjerë edhe kur në Parlamentin shqiptar është plagosur i ndjeri Azem Hajdari. Një nga eksponentët socialistë theksoi se është një veprim politik që bëhet për të destabilizuar mazhorancën aktuale, për ta përçarë atë, për të prishur koalicionin e djathtë etj., etj.

Më e pakta që mund të thuhet për opozitën shqiptare, është mungesa e fantazisë së saj dhe prirja për të gjetur moviment politik në pamundësi për të hartuar programe dhe alternativa qeverisëse. Ndërsa shantazhi me afatet kohore, 9 apo 12 qershor, më ngjajnë me deklaratën e një ish-kryeministri socialist se vetëm 6 ditë bukë kanë shqiptarët.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›