E Diel, 1 Nëntor 2026

Ke marrë leje legalizimi? Ja rruga drejt hipotekës

23/04/2009  ZQRPP harton udhëzimin për regjistrimin e pasurive të legalizuara

Hapet rruga për regjistrimin e pasurive të legalizuara. Qytetarët që kanë marrë pjesë në procesin e legalizimit dhe kanë paguar detyrimet financiare do të marrin shumë shpejt edhe certifikatën e pasurisë. Është zyra e hipotekës dhe zyra e ALUIZNI-t që do të bashkëpunojnë mes tyre, si për procedurat dhe për dokumentacionin e nevojshëm. Kryeregjistruesi Arben Qirjako ka firmosur dy ditë më parë një udhëzim për këtë çështje, e cila i hap rrugën e bashkëpunimit të gjitha zyrave të tjera rajonale të hipotekës dhe të legalizimit që do të merren me këtë proces.

Çfarë duhet të bëni

Nëse një qytetar ka marrë lejen e legalizimit nuk është e nevojshme që të rendë vetë drejt dyerve të zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Këtë sipas ligjit duhet ta bëjë Agjencia e Legalizimit. “Qytetari, i cili ka marrë një leje legalizimi nga Agjencia rajonale e Legalizimit do të informohet nga kjo e fundit për përcjelljen e dokumentacionit nga ana e saj pranë ZVRPP-së përkatëse. Qytetari në këtë moment duhet të paraqitet pranë ZVRPP-së përkatëse me njoftimin e ALUIZNI-t dhe të bëjë pagesën e tarifës së shërbimit pranë sporteleve të ZVRPP-së. Zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke filluar që nga ky moment, duhet ta shqyrtojnë kërkesën brenda 15 ditëve”, - thanë burimet zyrtare të ZRPP-së. Zyrat e hipotekës nuk kanë të drejtë t’i dërgojnë qytetarit Akt Verifikimi. Ndërsa ky i fundit për çdo lloj paqartësie apo mungese dokumentacioni duhet t’i drejtohet zyrës rajonale të legalizimeve.

Rastet

Çdo pasuri e paluajtshme kalon procedurën e matjes dhe përpunimit nga Agjencitë e Legalizimeve dhe më pas paraqitet pranë zyrave të hipotekës. Në rast se zona kadastrave është në sistemin e ri të regjistrimit dhe ndërtimi informal është mbi një truall të regjistruar në pronësi të poseduesit të ndërtimit pa leje, në fillim do të identifikohet kartela përkatëse meqë pronari i tokës është edhe ndërtues i pasurisë së legalizuar. Në rastin kur ndërtimi është ngritur mbi një truall në pronësi shtetërore atëherë do të bëhet identifikimi i kartelës shtet. Janë specialistët e zyrave të hipotekës, të cilët do të merren me plotësimin e kartelave, sipas procedurave teknike të miratuara në këtë udhëzim.

Udhëzimi

ZRPP-ja ka hartuar udhëzimin e brendshëm për pajisen e qytetarëve me certifikatë pronësie, në rastet kur zona është në sistemin e ri të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ose me vërtetim pronësie kur zona nuk është në sistemin e ri. Në këtë mënyrë të gjitha pasuritë e paluajtshme të fituara me anën e ligjit të legalizimit do të mund të bëhen pjesë e regjistrave zyrtare. “Udhëzimi u është shpërndarë të gjitha zyrave vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të cilat tashmë do ta kenë më të lehtë procedimin e regjistrimit të pasurive të legalizuara, duke përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve në një kohë më të shpejtë”, - theksuan burimet e zyrës qendrore të hipotekës.

Sanksionet

Udhëzimi parashikon regjistrimin e lejeve në rastet kur pasuria e legalizuar ndodhet në pronësi të atij që ka ndërtuar, në rastet kur pasuria e legalizuar ndodhet në një parcelë që është në pronësi të shtetit dhe në rastet kur pasuria e legalizuar ndodhet në një parcelë në pronësi private. Në rastin e fundit do të procedohet kalimi i pronësisë nga privat në shtet në bazë të VKM-së për shpronësimet dhe më pas do të regjistrohet leja e legalizimit. “Nëse zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk do të përmbushin detyrimet ndaj qytetarëve do të kenë sanksione administrative”, - thekson udhëzimi.

Lehtësitë

Udhëzimi është një lehtësi për të gjithë punonjësit e ZVRPP-ve. Ai do të shkurtojë kohën e pritjes së qytetarëve për t’u pajisur me dokumentin e pronësisë dhe nuk detyron qytetarin të paraqitet në zyrat e hipotekës. “Zyra qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme u bënë thirrje qytetarëve që të paraqiten në sportelet e ZVRPP-ve pasi të kenë marrë njoftimin nga drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t, për aplikim për regjistrimin e lejeve të legalizimit”, - theksuan burimet zyrtare. Pagesa pranë zyrës së hipotekës është vetëm tarifë për shërbimin.

Afati

Udhëzimi i miratuar nga ana e zyrës qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme parashikon në detaje edhe të gjitha problematikat e tjera që mund të shfaqen përgjatë regjistrimit të lejeve të legalizimit, si në rastet kur parcela ndërtimore është më e vogël se pasuria e regjistruar apo e anasjella. Për çdo leje legalizimi do të dorëzohet një dosje e veçantë me inventarin e dosjes dhe dokumentacionin tekniko-ligjor. Kërkesa e aplikuesit duhet të shqyrtohet brenda 15 ditësh, në të kundërt përgjegjësia është e regjistruesit të ZVRPP-së.

Procedura

Shtesat e pallateve kur janë në tokë ish-pronari

Nëse ndërtimi informal është ngritur në tokën të ish-pronarëve atëherë do të hapen kartela më vete. Kur ndërtimi informal është mbi një truall në pronësi private të një subjekti të ndryshëm nga subjekti që legalizohet, sipas udhëzimit do të hapen kartela për pallatin si pasuri me vete. Më pas për çdo njësi e apartament do të bëhet regjistrim fillestar sporadik”, - thekson udhëzimi. Udhëzimi sugjeron të kihet parasysh kalimi nga pronari privat në shtet sipas VKM-së së shpronësimit dhe pastaj kalimin nga shtet në pronarin që disponon lejen e legalizimit. “Në të njëjtën kohë plotësohet regjistri hipotekor, duke bërë kalimin në shtet në fillim sipas VKM-ve përkatëse. Pastaj të bëhet kalimi nga shteti në pronarin e ri, me të dhënat e pasurisë së legalizuar, duke hedhur sipërfaqen e parcelës ndërtimore, sipërfaqen e ndërtesës, numrin e kateve”, thekson udhëzimi. Specialistët e ZVRPP-ve bëjnë edhe lidhjen e regjistrimit të ri me regjistrin hipotekor ku është regjistruar pronari privat. Nëse ndërtimi informal është ngritur mbi një truall në pronësi shtetërore, atëherë dokumentacioni i nevojshëm për regjistrim paraqitet nga Agjencia rajonale e ALUIZNI-t.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›