E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndarja sipas shtesës maksimale e minimale

23/04/2009  Skema e rritjes së pensioneve për qytetin e fshatin duke filluar nga 1 maj 2009

Brenda pak ditësh pritet të hyjë në fuqi vendimi i marrë nga qeveria shqiptare për rritjen e pagave dhe pensioneve, shtesë e cila ndryshe nga vitet e shkuara realizohet më herët në kohë. Tashmë janë bërë edhe detajimet përkatëse në lidhje me rritjen që i korrespondon çdo kategorie përfituese të shtesës së re të pensionit, efektet e së cilës do të ndihen që nga 1 maj i 2009-s. Shifrat maksimale të rritjes kësaj radhe shkojnë për pensionet e ulëta të fshatit dhe minimale për ato të qytetit. Skema mbi vendimin e rritjes ka përcaktuar se rritja e majit për kategoritë e pensionistëve do të jetë përkatësisht në masën 20 për qind për pensionistët në fshat dhe 10 për qind për ata të qytetit. Ndërkohë që gjatë kësaj jave pritet që Instituti i Sigurimeve Shoqërore të publikojë skemën e rillogaritjes së bashku me shtesat e reja të përfitimeve që do ndahen për këto shtresa në të gjithë vendin. Megjithatë, skema e rritjes së pensioneve do të lëvizë sipas këtyre shifrave: “Të ardhurat minimale për pensionin e plotë të qytetit nga 11275 lekë që ishte me rritjen e përcaktuar do të shkojë në masën 12226 lekë. Të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të qytetit nga 19530 lekë me shtesën e re do të arrijnë në kufijtë e 21433 lekëve. Ndërsa për pensionet e fshatit është përcaktuar që të ardhurat e pensionit të plotë do të lëvizin nga 6090 lekë në 7139 lekë, në të cilën është përfshirë dhe shtesa e parashikuar.” Sipas deklaratave të bëra nga zyrtarët e financave, është pohuar se duke filluar nga viti i shkuar rritja e pensioneve është bërë në mënyrë proporcionale, çka synon që të njohë periudhën kontributeve të çdo individi përfitues (kjo e fundit nuk është e njëjtë për të gjithë përfituesit). Pak kohë më parë lidhur me këtë vendim numri dy i financave ka pohuar se skema e rritjes para 208-s bazohej në modelin e përshkallëzuar, çka sillte rritjen më shumë të pensioneve të ulëta e veçanërisht ato të fshatit, ndërsa tani skema e rritjes do të jetë proporcionale, duke ndihmuar dhe në respektimin e kontributeve të derdhura nga secila prej shtresave përfituese të pensionistëve. Rritja e re e pensioneve, që pritet të hyjë në fuqi gjatë muajit të ardhshëm, do të zbatohet për të gjitha kategoritë dhe llojet e pensionit që jepen, qofshin këto të plota, të pjesshme të reduktuara, familjare, invaliditeti. Përllogaritjet për çdo përfitues do të bëhen nga drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore sipas të njëjtit standard të përcaktuar në skemën e rritjes. Efektet e shpërndarjes së shtesës së re do t’i bashkëngjiten përfitimit mujor deri në vendimin e radhës që do të ndërmarrë qeveria mbi politikat e rritjes së pagave dhe pensioneve.

Ndarja sipas përfitimit minimal dhe maksimal

Pensioni i pleqërisë ka kufijtë e vet minimalë dhe maksimalë. Pensioni minimal përcaktohet çdo vit nga vendimet që nxjerr Këshilli i Ministrave. Pensioni maksimal është sa dyfishi i pensionit minimal. Gjithashtu pensioni i pleqërisë nuk mund të jetë më i lartë së 75 për qind e pagës mesatare neto të indeksuar të tre vjetve rresht në dhjetë vjetët e fundit të punës. (Pp = paga neto x 75 për qind ). Kjo nënkupton dhe një shkallë zëvendësimi të pagës në kohën e pensionimit. Llogaritjet e pensioneve ndahen sipas llojit të masës së përfitimit që merr individi që bën pjesë në skemën e pensioneve. Ndërsa rritjet që bën qeveria çdo vit, zbatohen për të gjitha kategoritë e pensionistëve.

Skema e rritjes që do aplikohet në maj 2009

Të ardhurat minimale për pensionin e plotë të qytetit:

Ishte: 9515 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 11275 lekë

Bëhet: 10466 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 12226 lekë

Të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të qytetit:

Ishte: 19030 lekë + 350 + 150 = 19530 lekë

Bëhet: 20933 lekë + 350 + 150 = 21433 lekë

Të ardhurat e pensionit të plotë të fshatit:

Ishte: 5200 + 200 + 690 = 6090 lekë

Bëhet: 6240 + 200 + 690 = 7139 lekë

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›