E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushohet padia ndaj avokatit Çeli për tentativë korruptimi

23/04/2009  Dosja e hetimeve për abuzimet me “Plazhin e Gjeneralit”

TIRANE- Prokuroria e Tiranës ka vendosur të pushojë procedimin penal të deponuar pak kohë më parë nga ish-drejtuesi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tunxh Vatnikaj. Mësohet se ky i fundit në kallëzimin e tij ka akuzuar drejtpërdrejt avokatin Genc Çeli se ka tentuar të korruptojë Vatnikajn në mënyrë që ai të kompensonte me truall shtetasin Ador Dibra që njihet si trashëgimtar ligjor i ish-deputetit Shefqet Vërlaci. Mirëpo nga ballafaqimet e tre personave është provuar se nuk ka asnjë element penal për fillimin e një procesi hetimor dhe nisur nga këto kushte, fakti i premtimit, propozimit apo dhënies drejtpërdrejt apo tërthorazi Drejtorit të përgjithshëm të AKKP-së i një përfitimi të parregullt nuk ekziston. Sipas Prokurorisë, për pasojë nuk ekziston edhe elementi i veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Ndërkohë që sipas pretendimeve të parashtruara në kallëzimin penal nr. 924 thuhet se ish-drejtori i përgjithshëm i AKKP-së ishte vënë në dijeni nga subjekti i shpronësuar Ador Dibra, se Genc Çeli prezantohej si avokat dhe se ndaj personave të tretë hiqej si djali i tezes i shtetasit Tunxh Vatnikaj, ku nëpërmjet emrit të tij garantonte se do u zgjidhte punë atyre tek drejtori. Vetë Çeli ka deklaruar se “Insistoj në akuzën time kundër qytetarit Tunxh Vatnikaj për shpifje informacioni të figurës sime morale e profesionale. Kam qenë i pranishëm kur një zyrtar iu drejtua atij si Drejtor i përgjithshëm i KKP-së duke u interesuar për pronat e ish-kryeministrit shqiptar Shefqet Verlaci, pa ditur se isha pikërisht unë prokuror i një pjese të atyre pronave në Shqipëri. Dikush nga lart ishte i interesuar për tjetërsimin e atyre pronave. Për këtë jam gati të bëj dëshmi në çdo instancë, si dëshmitar okular i pranishëm”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›