E Diel, 1 Nëntor 2026

Këlcyrë, këshilltarët bashkiakë denoncojnë kryebashkiakun për abuzim detyre

Këshilltarët: Vasil Carka, model i korrupsionit 
Këshilltarët e djathtë në Këshillin Bashkiak të Këlcyrës, kanë denoncuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të ligjit urbanistik, kryetarin e bashkisë, Vasil Carka. Tre këshilltarët e djathtë, dikur mbështetësit e kryebashkiakut aktual të Këlcyrës, konkretisht Kristo Kërçuku, nënkryetar i këshillit bashkiak si dhe Bardhyl Xhani dhe Albert Brahollari, kanë konstatuar shkelje të kreut të Bashkisë së Këlcyrës, të cilat i kanë depozituar në organin e akuzës. Ky i fundit nuk e ka parë të arsyeshme të marrë në konsideratë denoncimin e bërë nga këshilltarët e lartpërmendur dhe pushoi çështjen, çka krijoi kundërshtinë ligjore nga ana e denoncuesve. Në shkallën e parë të gjyqësorit në Gjirokastër, ata kanë kërkuar nga prokuroria të kryejë një hetim intensiv të të gjitha shkeljeve të vërejtura dhe të depozituara njëkohësisht në dosjen e dorëzuar në organin e akuzës nga ana e denoncuesve. Shkalla e parë në vendimin e dhënë para disa ditëve, ka kërkuar nga prokuroria hetimin e shkeljeve të konstatuara madje edhe nga auditi i brendshëm i Institucionit të Prefektit të Gjirokastrës. Ndërsa dje, Gjykata e Apelit të Gjirokastrës ka hedhur poshtë vendimin e shkallës së parë çka për këshilltarët do të thotë rekurs në Gjykatën e Lartë.
Akuzat për korrupsion
Njëri prej këshilltarëve të djathtë në Këshillin Bashkiak të Këlcyrës, Bardhyl Xhani, pohon për gazetën SOT se kryebashkiaku Vasil Carka, është model i korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin dhe mund të jenë raste unikale të shpërdorimit të detyrës nga një kryetar bashkie në Shqipëri. Sipas Xhanit, të gjitha sheshet e ndërtimit janë dhënë pa kaluar në mbledhjet e këshillit bashkiak, çka përbën shkelje të ligjit. Për Xhanin, rasti më skandaloz është ndërtimi i një objekti nga ana e kryebashkiakut Carka, në afërsi të godinës së Bashkisë së Këlcyrës brenda territorit, që është rast unikal. "Objekti i ndërtuar sipas Brahollarit, shërben për shitje të objekteve kancelarike dhe menaxhohet nga e shoqja e kryebashkiakut Carka. Me fonde publike janë konstatuar pabarazi në tendera, të cilat janë vërtetuar edhe nga auditi i Prefekturës së Gjirokastrës", pohon për gazetën Brahollari, duke sjellë rastin e lidhjes së kontratës me një firmë ndërtuese për një vepër publike para se të dilte e publikuar në Fletoren Zyrtare. "Për këtë çështje i jemi drejtuar zyrtarisht edhe kryeministrit Sali Berisha, i cili nga ana e tij ka kërkuar prej prefektit Spiro Ksera të verifikohen të gjitha pretendimet e ngritura", shton ai. Këshilltarët e djathtë kanë bërë fajtore për pushimin e çështjes nga ana e prokurorisë së Gjirokastrës prokuroren Silvana Pani e cila sipas Xhanit, ka lidhje farefisnore me kryebashkiakun e Këlcyrës. "Prokurorja Silvana Pani më ka nxjerrë nga zyra e saj duke më thënë se nuk ke punë ti dhe të tjerët me kushëririn tim Vasil Carkën dhe se juve jeni njerëz të mbaruar etj", shprehet këshilltari demokrat, Bardhyl Xhani. Këshilltarët e djathtë në Këshillin Bashkiak të Këlcyrës janë të vendosur që ti shkojnë deri në fund kësaj çështjeje, duke rekursuar edhe vendimin në Gjykatën e Lartë. Vasil Carka, prej vitit 2003 është kryetar i Bashkisë së Këlcyrës në rrethin e Përmetit dhe është zgjedhur nën siglën e PD-së dhe forcave të djathta në të dy zgjedhjet e fundit vendore.

Email This Klikime: 2

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›