E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI nënshkruan marrëveshjen e koalicionit me Partinë e Gjelbër

Dje lideri i LSI,Ilir Meta nënshkroi marrëveshjen e parë të bashkëpunimit në një koalicion me Partinë e Gjelbër Shqiptare, që është anëtare e Partisë së Gjelbër Europiane. Në emër të Partisë së Gjelbër Shqiptare marrëveshjen e nënshkroi Kryetari i kësaj partie,Edlir Petanaj. Partia e Gjelbër shqiptare ka mbledhur rreth vetes ambjentalistë të shquar shqiptarë, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile. Kjo parti ka marrëdhënie mjaft të mira me të gjelbërit evropianë, që janë grup parlamentar mjaft i rëndësishëm në Parlamentin Evropian. Pas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit me Partinë e Gjelbër, lideri i LSI, Meta theksoi se marrëveshja që ne nënshkruajmë sot me Partinë e Gjelbër Shqiptare, është shumë e rëndësishme për vetë dimensionin programor dhe angazhues të LSI dhe të gjithë koalicionet që ne po ndërtojmë dhe konfigurojmë, në mënyrë që tu premtojmë gjeneratave të sotme, por edhe të ardhshme, një angazhim solemn, se ne do të punojmë për një mjedis të gjelbër, se ne do të punojmë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve shqiptarë, që ne do të punojmë që zhvillimi i qëndrueshëm i vendit të mbështetet në mënyrë solide mbi një mjedis të mbrojtur dhe që zhvillohet çdo ditë e më shumë. Ai vijoi se ky është angazhimi ynë dhe besoj se, edhe kjo marrëveshje që nënshkruajmë me Partinë e Gjelbër Shqiptare, e cila vërtet deri tani ka qenë një forcë modeste, por domethënëse, por sipas tij në të ardhmen do të bëhet një protagoniste e fuqishme, duke pasur në konsideratë jo vetëm koalicionin në të cilin ajo do të bëjë pjesë, por edhe faktin që rreth saj janë angazhuar dhe shumë personalitete të shquara të shoqërisë civile, shumë mbrojtës heroikë të ambientit dhe të mjedisit në Shqipëri, si zoti Sazan Guri, dhe shumë të tjerë, por njëkohësisht edhe përvoja dhe mbështetja që ajo do të ketë nga Partia e Gjelbër Europiane, që është një nga partitë kryesore dhe në Parlamentin Europian, do të jetë një garanci për të gjithë koalicionin tonë, se ai vërtet do të jetë i sukseshëm në alternativat që do të japë për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit. Ndërsa, kryetari i Partisë së Gjelbër Edlir Petanaj gjatë fjalës së tij tha se PGJ në këtë koalicion nuk vjen thjesht si Parti e Gjelbër e Shqipërisë, por edhe si dega e Partisë së Gjelbër Europiane në Shqipëri. Programi i Partisë së Gjelbër, i cili po implementohet edhe në një pikë të kësaj marrëveshjeje, do të jetë një nga programet më të mira të mjedisit që do të paraqesë koalicioni ynë i përbashkët për zgjedhjet e 28 Qershorit,- u shpreh Petanaj. Partia e Gjelbër në këtë koalicion, vijoi Petanaj, vjen edhe me një aleancë që ka bërë me shoqërinë civile ambientaliste, duke thithur në gjirin e saj ambientalistë të shquar, ekspertë të mjedisit, përfaqësues të klubeve ekologjike të prefekturave, të cilët do të jenë përfaqësuesit tanë për deputet në zgjedhjet e 28 Qershorit. Sazan Guri, është përfaqësuesi i listës së kandidatëve për deputet të Partisë së Gjelbër Shqiptare në Tiranë. Ai u shpreh se vij si një prurje e shoqërisë civile në Partinë e Gjelbër Shqiptare, njëherësh zëri i vetëm i të gjelbërve europianë, që të trupëzuar në koalicion, grup forcash politike, për të integruar Shqipërinë në Europë, do të sjellim për herë të parë institucionalizimin e mendimit të gjelbër. Ai theksoi se vjen në Partinë e Gjelbër për institucionalizimin e veprimit të gjelbër, që do të marri në konsideratë dhe që do ta kthejë hallin e qytetarëve shqiptarë në problem, që do të kthejë problemin e qytetarëve shqiptarë në çështje, që do të kthejë çështjen e qytetarëve shqiptarë në kauzë. Kjo kauzë do të jetë boshti i këtij koalicioni integrues drejt Europës. Është kjo kauzë, e cila nuk do të jetë më bisht apo antenë zhurmuese, apo shou me pionerët e radhës,- tha Guri. Por, kjo kauzë, vijoi ai, do të jetë një program sa i gjerë dhe i gjatë, i cili do të mbështesë njerëzit që kanë vuajtur deri më sot pasojat e një politike të thatë mjedisore.

Email This Klikime: 2

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›