Këlliçi kundër shembjes së pallateve mbi 50-vjeçare: Do ju shembin shtëpitë për të ndërtuar kulla betoni

Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Tiranë, Belind Këlliçi u takua me tregtarët e “Myslym Shyrit” dhe tregut Çam.
Teksa përsëriti edhe një herë premtimet e tij, Këlliçi tha se është kundër shembjes së pallateve vjetra mbi 50-vjeçare.
“Domethënë, sot të rrezikuar në Tiranë nuk janë më vetëm qytetarët që janë në proces legalizimi por dhe autoktonët, dhe ata që i kanë apartamentet me letra të rregullta, me certifikatë pronësie me të gjitha, vetëm për faktin se mund të banojnë në apartamente më të vjetra se 50-vjeçare rrezikojnë që Erion Veliaj mund t’i nxjerri nga shtëpia, për t’u shembur shtëpitë për t’i bërë kulla betoni. Bëjeni zgjedhjen vet, katër ditë kanë ngelur”, tha Këlliçi.
Ai e konsideroi kundërshtarin Erion Veliaj se po përdor standarde të dyfishta për ndërtimi i kullave në kryeqytet.
“Të gjithë ato banorët në Tiranë, në qytet dhe në fshat, që më thonë: Belind nuk hapin dot dritaret e shtëpisë, nuk rregullojmë dot avllinë, nuk rregullojmë dot çatinë se vjen na vë gjobë policia bashkiake. Kurse klientela e këtij shiko çfarë bën!”, tha Këlliçi.
/rtsh.al/