Kelmendi, lajmi më i mirë

Pa dyshim sportistja më e suksesshme kosovare për vitin 2009 ishte xhudistja e re Majlinda Kelmendi. 18 vjeçarja nga Peja ka shkëlqyer në sportin në të cilin garon, duke u shpallur kampione botërore në kategorinë për juniore në kampionatin i cili u mbajt në Paris të Francës.
Ajo po ashtu ngadhënjeu edhe në Evropianin që është mbajtur në Armeni dhe në Kampionatin ballkanik, i cili u mbajt në Greqi. Gjithashtu, gjatë vitit që lamë pas, ajo ka fituar edhe medalje dhe trofe të tjerë në gara më pak të rëndësishme.
Kelmendi thotë se disa prej rezultateve i kishte pritur, por Kampionati botëror ishte kulmi për të. “Sukseset e vitit 2009 i kam pritur deri diku. Në Kampionatin ballkanik dhe atë Evropian e kam pritur se do të triumfoja, kurse në atë Botëror e dija se isha ndër tri të parat, por në fund arriti suksesi i plotë”, theksoi xhudistja e klubit Ippon nga Peja.
Ajo beson se edhe gjatë vitit të ardhshëm do t’i radhisë sukseset, ndërsa synon që të bëjë ‘boom’ edhe te senioret, gjë të cilën nuk ia doli ta bënte këtë vit.
“Besoj që edhe vitin e ardhshëm do të vazhdoj me suksese. Synoj që të arrij sukses në Evropian dhe në Botëror për seniore, gjë të cilën dështova ta bëja këtë vit. Gjithashtu synoj që t’i përsëris sukseset e këtij viti në konkurrencën e junioreve”, u shpreh Kelmendi.
Ajo në fund nuk e la pa përmendur edhe trajnerin e saj Driton Kuka, i cili, sipas Kelmendit, është më meritori për sukseset e saj.