“Kemi dy precedentë”, Këlliçi: Ja pse kjo foltore do t’ia dalë

Pas kryetarit të PD-së, Sali Berisha, fjalën në protestë e mori deputeti Belind Këlliçi.
Gjatë fjalës së tij, ai u bëri ftesë qytetarëve për t’iu bashkuar protestave të ardhshme të opozitës për rrëzimin e kësaj qeverie.
Belind Këlliçi: Të nderuar qytetarë, mirëmbrëma! Të rinj, të reja, qytetarë, demokratë, qëndrestarë që keni ardhur sot në këtë foltore të parë parlamentaro-qytetare, e cila për një minutë do të duhet të marrë një shpjegim për të gjithë ata që na ndjekin, që janë këtu, por ata që sonte në mbrëmje, duke filluar nga orët e vona të natës, do të helmohen në mënyrë permanente nga mediat e regjimit për organizimin, për pjesëmarrjen, për njerëzit, për mesazhet e shumë e shumë çështje të tjera. Arsyeja pse kjo foltore do t’ia dalë është se kemi dy precedentë. Mos harroni, foltoren e parë në shtator të vitit 2021, kur Shqipëria kërcënohej të lihej pa opozitë. Ishte një foltore e parë e drejtuar nga doktor Berisha që riktheu shpresën në Partinë Demokratike dhe ia doli të shpëtojë opozitën vetëm brenda tre muajsh. Ishte një foltore që nisi me 1/100 e njerëzve që janë sot prezent këtu dhe përfundoi në Kuvendin Kombëtar të rithemelimit të Partisë Demokratike në stadiumin kombëtar Air Albania, të mbushur si kurrë më parë.
Dhe ia doli t’i rikthejë shpresën qytetarëve dhe të mbajë në këmbë Partinë Demokratike. Ka një precedent të dytë, të dashur miq. Në 14 maj të vitit 2023, u organizuan zgjedhjet më të pabarabarta që janë mbajtur ndonjëherë në Shqipëri, ku kandidatët e Partisë Demokratike garuan pa fonde, pa mbështetje, pa komisionerë, pa gjysmën e numëruesve, pa minutazh mediatik, pa emrin e kryetarit të tyre në fletën e votimit, dhe morën 500.000 vota. Dhe pak muaj më pas nisi seria e denoncimeve të asaj që ishte kthyer Bashkia e Tiranës të 5D-së. I nisën protestat para Bashkisë Tiranë në prill të vitit 2024. Për 44 javë, në shi, në diell, më pak se 1/10 e atyre që jemi sonte këtu, kemi protestuar, jemi anatemuar, jemi përbaltur, jemi goditur, na kanë quajtur të shitur, nuk kanë lënë gjë pa shpikur dhe janë të njëjtat media që sulmuan PD-në dhe herën e parë në 2021-shin, e sulmuan prapë në 2023-shin dhe protesta jonë ia doli që për 11 muaj Erjon Veliajn, kreun e 5D-së dhe pronarin faktik të inceneratorit të Tiranës, ta përcillte në burgun e Durrësit. Sepse ne këtë protestë nuk do ta ndalim, sepse në këtë foltore do të dalin të gjitha ato të vërteta të cilat në dy muaj me radhë në parlament na janë mohuar.
LEXO EDHE: “Më parë shpëtoi opozitën, tani Shqipërinë”, Berisha zbulon misionin e “Foltores”
Partia Demokratike po mban para kryeministrisë një protestë me pjesëmarrjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
Protesta e sotme shënon nisjen e një cikli të ri veprimesh nga opozita, me demokratët që pritet të zbresin në bulevard për të artikuluar qëndrimet e tyre ndaj qeverisë.
Kreu i PD-së Sali Berisha ka njoftuar se menjëherë pas protestës do të nisë një analizë e brendshme dhe një tur dëgjimor në terren për të forcuar lidhjen me qytetarët.