E Diel, 1 Nëntor 2026

PD nis “sezonin e protestave”, Berisha: Misioni i “foltores së dytë”, shpëtimi i Shqipërisë nga regjimi i krimit

Partia Demokratike organizoi këtë të hënë një protestë përpara godinës së Kryeministrisë.

Thirrja për tubim iu është dërguar edhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së, ku theksohej se “opozita e ka për detyrë të shpëtojë Shqipërinë” dhe se synimi është “ta kthejë Parlamentin tek njerëzit”.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij, u shpreh se, misioni i asaj që ai e quajti “Foltore e Dytë” është shpëtimi i Shqipërisë nga regjimi kriminal i Edi Ramës.

Sali Berisha: Të dashur demokrate e demokratë, mbështetës të opozitës, parlamentarë të opozitës, miqtë e mi, liria është si një lumë, të cilin në asnjë lloj përpjekje nuk mund ta ndalësh, nuk mund ta përthash. Po guxove ta bllokosh, ajo do çajë një kanal. Pikërisht kjo është platforma parlamentaro-qytetare që ne inaugurojmë sot para pallatit të krimit, para pallatit të krimit shtetëror ndaj shtetit shqiptar, zëvendësimit të tij me narkoshtetin. Para pallatit të krimit njerëzor ndaj shqiptarëve, që me qëndrimet e tij përzuri nga Shqipëria në vitet e qeverisjes së tij më shumë se çdo pushtues i egër në tërë historinë kombëtare; para pallatit, një krim monstruoz ndaj shqiptarëve, i zvogëloi ata dhe i ktheu 100 vite mbrapa. Para pallatit që ka brenda diktatorin, sulltanin dhe sulltaneshën, Edvinin dhe Belindën, lubinë, që me vjedhjet, plaçkitjen e tyre kanë mbjellë skamje në këtë vend si në asnjë vend tjetër të kontinentit.

Foltorja me qytetarët e shpëtoi opozitën, e ktheu atë në forcë sovrane të shqiptarëve, e ktheu atë në një parti e cila u përball në rrugën e saj me pengesa më të papara, me represionin, me agresionin ndaj saj, por përsëri, sot ajo mblidhet në foltoren e dytë, foltorja që nuk ka më synim të shpëtojë opozitën, por ka mision të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi i krimit.

Ndaj dhe për të kuptuar pak misionin, hapni sytë si e ka rrethuar me gardistë e ushtarë. Edvin, absolutisht je i pashpresë, fundi yt nga ky shesh do të vijë.

Të dashur miq, ne jemi në një regjim i cili dhunon votën e lirë, i cili shtyp opozitën, i cili në të vërtetë është i kalbur nga koka te këmbët, dhe nuk pritet gjë tjetër vetëm qëndrimi ynë, beteja jonë, vendosmëria jonë për ta arkivuar në histori këtë regjim që mendon se do mbahet në këmbë me skapin e partisë, me dhunë, terror, blerje, shitje e pazare. Por idealet janë ideale, janë forcë nukleare e njeriut dhe shoqërisë, së cilës asgjë nuk i reziston. Ndaj ju ftojmë në këtë mision të vazhdojmë betejën tonë si misionarë.

Ja ku jemi. Gjysma e kaq sa jeni këtu, për 46 javë rresht, Erion Veliajn, Lali Vjedhësin e nisëm aty ku e ka vendin.Po. Ai ishte tek bashkia. Këtë që kemi këtu, Lubinë me Ramaduron, do i nisim tek Erion Veliaj. Dhe ja t’u themi, merr jo kaq, se e ka mbushur atje, po të shkoni atje nga ana tjetër, atje janë nja 500 policë. Në anën tjetër 500 të tjerë. Mediat thanë 2000 policë. Ky është fundi i regjimit miqtë e mi.

Edhe në diktaturën komuniste kështu bënin. Na rrethonin me policë, me ushtarë, me gardë, dhe në fund ia mbathën si minjtë. Si minjtë do ikin edhe këta. Nuk kanë shpresë. Të vazhdojmë ne këtë betejë të vendosur.

Ne vijmë këtu pas i kemi faktuar botës se ky është një narkodiktator.

Pasi i kemi faktuar botës se ky dhe vëllai i tij janë të lidhur si mishi me thoin me drogën dhe krimin. Ne vijmë këtu pasi i kemi faktuar botës se Edi Rama dhe ministrat e tij janë hajdutët më të mëdhenj të Europës dhe të shqiptarëve në tërë kohërat. Ne vijmë këtu dhe do vijmë gjer në largimin e tyre, gjer në rikthimin e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë. Nuk ka mision më të shenjtë. Nuk ka mision më të shenjtë, nuk ka forcë në botë që do na ndalojë ne pa përmbushur me dinjitet këtë mision.

LEXO EDHE: “Kemi dy precedentë”, Këlliçi: Ja pse kjo foltore do t’ia dalë

Protesta e sotme shënon nisjen e një vale të re aksionesh të opozitës, ndërsa demokratët pritet të zbresin në bulevard për të artikuluar qëndrimet e tyre ndaj qeverisë.

Berisha sqaroi se protesta do të shërbejë si një “foltore parlamentaro-qytetare”, që do të mbahet një herë në javë përpara Kryeministrisë. Sipas tij, deputetë dhe qytetarë do të kenë mundësinë të shprehin publikisht shqetësimet e tyre.

Krahas betejës me qeverinë, kryetari i PD-së paralajmëroi nisjen e analizës dhe turit të dëgjesave me qytetarët: “Analiza do fillojë menjëherë dhe turi im do fillojë menjëherë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›