E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kemi hyrë në vend të huaj

Pak para nisjes së bisedimeve mes Kosovës e Serbisë, portali serb e-Novine ka publikuar disa shkrime të liderit dhe teoricienit të njohur socialdemokrat serb, Dimitrije Tucovic (1881-1914), ku ai i përshkuan detajisht trojet e Kosovës në kohën e okupimit nga Serbia, ngase edhe vetë ishte pjesëtar i ushtrisë okupuese serbe. Sqarimet që i jep për shqiptarë, si dhe synimet e okupimit serb, ndryshojnë shumë nga ato zyrtare. Express, do të sjellë disa nga shkrimet e tij (të shkruara në vetën e parë).

Gjakova është një qytezë e pastër arnaute. Turq gati që s’ka fare, e ata pak serbë – një grusht i tyre – posedojnë të ashtuquajturën “lagje serbe”, por pa shitore tjera pos disa kafehaneve. Gjithë masën tjetër të popullatës së Gjakovës e përbëjnë arnautët.

Edhe rrethina e Gjakovës është jo vetëm kryesisht e banuar me arnautë, por është gati tërësisht e tyre. Pas Pejës, e cila shtrihet në fundin e sipërm të Dukagjinit, ka pak fshatra serbe, njësoj siç ka serbë edhe nëpër fshatrat e tjera të përziera, kështu që edhe në qytezën e Pejës ka pak më shumë serbë. Përreth Gjakovës, banime serbe ka shumë më pak; e pikërisht në këtë rreth, në vend të banimeve serbe Serbia ka hasur në përmendore mesjetare serbe, në mure të ftohta që ruajnë krahinat,dhe që kanë vlera për arkeologë e artistë. Kështu, për shembull, Deçani mund ta emocionojë shpirtin e romantikëve nacionalistë, por për stabilitetin e regjimit të ri në këto vise kjo s’do të thotë gjë. Madje, kjo është arsyeja themelore e të gjitha fatkeqësive nga të cilat vuajmë sot, dhe nga të cilat do të vuajmë edhe në të ardhmen, është fakti se kemi hyrë në një vend të huaj.

Por, Gjakova s‘është vetëm një qytezë arnaute vetëm për nga raporti numerik i popullatës; ajo është arnaute edhe për nga jeta e gjithëmbarshme, e jashtme dhe ekonomike. Nuk janë këto vetëm minaret që si male ngrihen drejt qiellit,as vetëm shtëpitë me mazgalle, dritare pushkësh e mure të dedikuara për luftim – sikur të mos ndodhemi në një qytezë dhe sikur ky të mos jetë shekulli i 20’të; nuk është as veshja tipike arnaute e cila shihet qartazi nëpër rrugë; jo, në Gjakovë bie në sy edhe ajo se, të gjitha zanatet dhe tregtia ndodhen në duart e vetë arnautëve.

Kjo e bënë Gjakovën të ndryshme nga qytezat e tjera të Turqisë së vjetër. Në qytezat maqedonase, banorët sllav apo grekë po ashtu janë pakicë, edhe pse kjo pakicë arriti të marr në duar pjesën më të madhe të jetës ekonomike. Këto pakica i tejkaluan turqit ekonomikisht,fillimisht falë fuqisë kulturore të tyre, e pastaj edhe falë mbështetjes së rrethit, i cili flet gjuhën e njëjtë si ata. Në këtë pikëpamje, Gjakova është një përjashtim, madje edhe ndaj qytezave tjera arnaute që shtihen më thellë në Shqipëri. Për Elbasanin arnautë thonë se është zemra e Shqipërisë, megjithëse atje kemi parë se shitoret dhe depotë më të mëdha të drithërave ishin në duar të grekëve apo grekomanëve.

Kështu, Gjakova – kjo qendër e arnautllëkut më të ashpër, dhe kjo çerdhe e kaçakëve – falë jetës së saj, ofron një pamje krejt tjetër për arnautët nga ajo që, me qëllim apo nga mosdija, jepet në gazetat beogradase. Rrugët janë përplot shitore; nëpër stenda shihni punëtorë - më shumë të rritur se çirakë - me çakshirë të bardhë e me plisa në kokë; disa shitore kanë nga 4, 5, e disa edhe nga 6-8 punëtorë. Më së shpeshti sheh dyqane terzinjsh, për qepjen e veshjeve popullore arnaute, bukurisë së të cilave i kushtohet shumë vëmendje, dhe të cilat mund të kushtojnë disa qindra dinarë; por ka edhe këpucëtarë, mutabxhinj, zdrukthëtarë, etj. Aty punohet shumë primitivisht, mjetet që i përdorin këta njerëz ka kohë që janë përjashtuar nga industria shtëpiake, dhe, përgjithësisht, për nga kualiteti teknik paraqesin nivelin më të ulët të pajisjes së zanatlinjve.

Por, sado primitive që mund të jetë puna, ajo rrjedhë, dhe shikimi i parë në rrugët ku ndodhen këto shitore tregon se arnautët, si ndërmarrës dhe punëtorë, nuk janë si turqit. Çarshia arnaute s’ka asgjë të përbashkët me atë turke. Ajo që është më e pazakonta dhe që një të huaji i bie menjëherë në sy në çarshinë turke është kotja dembele e turqve mbi pragje, shikimi flegmatik i kalimtarëve përmes tymit të çibukëve, gjithmonë nga pozita këmbëkryq ose e shtrirë mbi dërrasa, në të cilat ata mund të kalojnë gjithë ditën e lume; sepse askujt s’i ngutet për asgjë, si të mos kishin asnjë gajle apo punë tjetër. Mirë thotë Cvijic: “Ata verës rrinë nën hije... këmbëzbathur, e të shtrirë mbi mobile, duke u rrotulluar nga njëra anë në tjetrën, e kur të ngriten, ecin si të thyer e të sakatosur”.

Në Gjakovë s’sheh pamje të tilla. Përkundrazi, falë jetës së zhvilluar ekonomike, sheh një nguti të përgjithshme të njerëzve; katundari vjen t’i shes prodhimet e veta dhe të blejë atë që i duhet, tregtari mundohet të bëjë pazar, e në punëtori njerëzit punojnë pandërprerë. Dhe, kur t’i kemi gjithë këtë pamje para syve, s’mund të mos çuditemi me këtë kundërshti të çuditshme dhe të pazakontë, pjesë e së cilës janë edhe dritaret e pushkëve, që shihen në muret e secilës shtëpi. Këtu s’do të lëshohemi në zgjidhjen e kësaj fshehtësie. Kujt i intereson jeta dhe rrethanat në të cilat jetojnë arnautët, do të gjejë më tepër në “Letrat Arnaute”, të cilat kanë filluar të dalin në gazetën ‘Borba’. Por, edhe këtu duhet të cekim se kemi të bëjmë me një popull të cilit shovinistët serbë i bëjnë një padrejtësi, duke ia pamundësuar aftësinë për punë kulturore dhe jetë të qetë.

*Burimi: Dimitrije Tucovic, Sabrana dela, Beograd 1980, libri i 7. Përgatiti Damjan Pavlica; përktheu e përshtati: Faton Raçi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›