E Diel, 1 Nëntor 2026

Kënga e shkronjave

Tomas Transtromer dhe e shoqja, Monika

Nga Ardian Vehbiu

Sot të lexuarit e përfytyrojmë si akt që ndodh midis faqes së shkruar, syve dhe mendjes. Megjithatë, leximi në heshtje është krijim i kohëve moderne.

Tradita e mban Shën Agustinin si të parin që filloi të lexonte pa zë, natën në kuvend, për të mos shqetësuar murgjit e tjerë që flinin.

Vetë Shën Agustini shkruan se këtë virtyt të leximit pa zë ia kish njohur mësuesit të vet, Ambrozit nga Milanoja, i cili e praktikonte ngaqë nuk donte që ti mblidheshin njerëzit rrotull kur lexonte dhe ta cingërisnin me pyetje për tekstin.

Gjithsesi, andej nga shekulli i 9-të, ndeshen edhe rregulloret e para në manastiret dhe bibliotekat, që u kërkojnë shkruesve dhe murgjve ta mbajnë zërin të ulët, gjatë punës (leximit, kopjimit).

Në krye të herës, leximi ka qenë akt publik për vete dhe për të tjerët. Zhvendosja e tij nga sfera në publike në privaten, nga zëri në heshtje, nga komunikimi me të tjerët rrotull teje në komunikimin me autorin imagjinar të tekstit të shkruar, është karakteristikë e modernitetit.

Ambrozi nga Milanoja dëshironte të lexonte për vete, jo për të tjerët; meqë kërkonte ta kuptonte tekstin vetë, ta përvetësonte jo tua përcillte të tjerëve. Tek ai ndeshim shembullin ndoshta të parë në histori, të dikujt që e përdor artin e të lexuarit jo për ti shërbyer dikujt tjetër, por për të pasuruar mendjen e vet.

Nëse leximi ka qenë, përndryshe, akt publik ose me zë të lartë, për veten dhe për të tjerët, madje njëkohësisht për veten dhe për të tjerët, atëherë edhe koncepti i analfabetizmit, në Mesjetë, ka nevojë të rivështrohet. Njerëzit nuk kishin nevojë të lexonin vetë, sa kohë që dikush tjetër do të lexonte për ta.

Ky akt i të lexuarit me zë të lartë përmbledh në vetvete akte të tjera, secili i respektueshëm më vete: së pari, zotësia për tu dhënë zë dhe kuptim shenjave të shkruara; së dyti, gatishmëria për tua përcjellë këtë zë dhe kuptim të tjerëve, duke filluar nga vetja.

Folja lexoj vjen nga venecianishtja ledzere, dhe kësisoj është e njëjtë me italishten leggere dhe latinishten legere (nga e njëjta rrënjë indo-europiane që ka dhënë në shqipe mbledh). Megjithatë, shqipja e sotme ka ruajtur një relike mesjetare kurioze, në foljen tjetër, këndoj të përdorur me kuptimin lexoj.

Këndoj vjen nga latinishtja cantare, sikurse këngë nga latinishtja canticum; por kalimi kuptimor drejt të lexuarit do të ketë ndodhur brenda shqipes.

Interpretimi i leximit si një lloj të kënduari na çon në një kontekst kulturor arkaik, krejt të ndryshëm nga ai i sotmi, por karakteristik për shoqëritë analfabete, ku leximi është gjithnjë me zë të lartë dhe realizohet në formë të një komunikimi publik.

Kjo është një shoqëri ku të kënduarit dallon prej ligjërimit të zakonshëm jo aq ngaqë modulohet në mënyrë melodike ose shoqërohet nga një instrument muzikor ose mund të përcillet nga shumë vetë njëherësh (polifonia) por ngaqë është akt njëdrejtimësh, nga ai që këndon drejt publikut; jo dydrejtimësh, si dialogu ose biseda e rëndomtë.

Fjalori i Shqipes së Sotme (1984) i trajton këndoj (cantare) dhe këndoj (legere) si homonime; duke pranuar se lidhja kuptimore mes tyre nuk ekziston më, dhe duke futur në fjalën e dytë edhe kuptimin ysht, të ilustruar me thënie si e këndoi prifti.

Në studimin e vet për gjuhën e Frang Bardhit, kur trajton foljen kënduem në kuptimin e të lexuarit, M. Kruja shkruan:

Âsht pra kisha, këndimi ofices, i lutave e i meshës me zâ të rregulluem mbas disa notash të caktueme, si kângët, qi u dha besniket ndëgjues idene këndimit të çdo libri, edhe me zâ si çdo zâ; mbasandej edhe pa zâ, e mâ në fund edhe të çdo shkrimi.

Kruja vëren edhe se, në fjalorin e Bardhit, latinishtja legere përkthehet si me zgiedhune, prandaj shndërrimi kuptimor i këndoj, thotë ai, duhet të ketë ndodhur dikur më vonë se gjysma e parë e shek. XVII; ndërkohë, fjala që përdor Bardhi për legere, zgjedh, lidhet për nga prejardhja me mbledh, duke qenë sipas Çabejt të dyja këto folje shqipe të formuara me parashtesime të ndryshme të së njëjtës rrënjë, e cila i referohet ndër të tjera latinishtes lego.

Gjithsesi, mendimi i M. Krujës se këndoj, në kuptimin lexoj, e ka zanafillën nga komunikimi i një prifti (ose i një hoxhe) me popullin duket i mbështetur meqë për popullin analfabet libri dhe teksti i shkruar ishin, para së gjithash, shkrimet e shenjta (skriptura).

Natyrisht, këndoj në kuptimin lexoj e jetoi epokën e vet të artë gjatë Rilindjes, prej nga kemi trashëguar edhe Librin e Këndimit një term ky, këndimi, që përdoret vetëm për të lexuarit, jo për të kënduarit (duke iu kundërvënë kështu këngës, e cila nuk përdoret kurrë me kuptimin e të lexuarit).

Kuptimplotë është, në këtë kontekst, kalimi emërtues nga libri i këndimit në libri i leximit, i cili përkon me kalimin virtual nga leximi me zë në leximin pa zë. Mes nesh që e kishim ndërruar tashmë në çantë librin e këndimit me atë të leximit, gjeje ende ndonjë që i lëvizte buzët, kur lexonte; ves për tu mbajtur i fshehtë, pse shenjë e prapambetjes, atavizëm po aq i pahijshëm sa hirsutizmi ose bishti. Por i kapnim ndonjëherë duke i folur vetes, si ata të tjerët, që e thoshin mësimin me zë të lartë, në shtëpi në park në ballkon, edhe pse ndonjëherë nuk kishin kujt tia shfaqnin këtë karaoke të trishtuar, të përditshme e të varfër, veç maces.

Shqipja e ka edhe një folje tjetër për leximin, sot disi të vjetruar dhe letrare: lëçit (lëçis), huazim nga serbishtja liiti, publikoj, shpall duke thirrur. Edhe te kjo fjalë, të lexuarit i referohet, së paku etimologjikisht, komunikimit me zë të lartë nga një folës me zë te një masë dëgjuesish. M. Krujën e irriton një zhvillim i tillë kuptimor, i cili sipas tij ka ndodhur vetëm në toskërishten, në një kohë që fjala në gegërishte e ka ruajtur kuptimin e vet origjinal: Zoti e di se si, disa shkrimtarë jugorë [e] kanë marrë e përdorë si synonym [...] me verbet kënduem e lexuem, shkruan ai, i pezmatuar.

Shpjegimi i M. Krujës, i arsyeshëm në vetvete, të bën të mendosh edhe për një farë force magjike të tekstit të shkruar, e cila manifestohet në momentin e leximit me zë të lartë, nga një medium, ose magjistar ose njeri me dhunti gati mbinjerëzore, që arrin ta transformojë serinë e shenjave pamore (ose të milingonave) në fjalë.

Po të kemi parasysh se shqipja nuk ka qenë shkruar as mësuar gjëkundi në shkolla masivisht para fundit të shekullit XIX, atëherë gjithnjë me arsye i bie të nxjerrim përfundimin se lexuesit e dikurshëm (ose këndonjësit) jo vetëm dinin të deshifronin shkronjat e ti lidhnin ato në fjalë e pastaj ti shqiptonin fjalët me zë të lartë, që tu jepnin kuptim për të tjerët (e ndonjëherë edhe për veten); por edhe përkthenin nga një gjuhë në tjetrën sa kohë që tekstet e shkruara do të kenë qenë në gjuhë të tjera: greqisht, arabisht, latinisht.

Leximi me zë, si përkthim nga një suport material në tjetrin, i bashkëlidhej përkthimit, si lexim nga një gjuhë në tjetrën.

Gjithsesi, të kënduarit e shkronjave (të harfev

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›