Prekaz, përkujtohet Adem Jashari
14 vite më pas, në Prekaz, në vendin ku nisi beteja, që bëri kthesën historike për shqiptarët, që nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm, kanë nisur vizitat e qytetarëve nga anë të ndryshme të hapësirës shqiptare, por edhe të zyrtarëve të lartë të shtetit. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se 5, 6 dhe 7 marsi është epopeja më e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është flijimi më i madh që është bërë në historinë e popullit tonë dhe më gjerë.
5, 6 dhe 7 mars është epopeja më e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është flijimi më i madh që është bërë në historinë e popullit tonë dhe do të thoja, jo vetëm të populli tonë. Tanimë është shndërruar në një vend të shenjtë ku qytetarët, nga të gjitha anët e Kosovës, por edhe gjithë viset kombëtare vijnë dhe përkulen para kësaj sakrifice të madhe që ka bërë kjo familje, kjo lagje dhe që ka bërë kombi ynë, ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovë, Jakup Krasniqi.
Homazhe para varrit të komandantit të UÇK-së, ka bërë edhe një delegacion i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë. Ahmet Isufi, nënkryetar i këtij subjekti politik ka thënë se ndodheshin në Prekaz për të bërë nderime në këtë vend të shenjtë ku u ndez vullkani i luftës për liri.
Gjithmonë marrim frymëzim për të punuar për vendin dhe për të ndryshuar Kosovën, për ta bërë ashtu siç kanë dashur komandanti legjendar por edhe gjithë të rënët për lirinë e Kosovës, sidomos për brezat që vijë të kenë mundësi të jetojnë të lirë të pavarur dhe të dinjitetshëm si gjithë qytetarët e Evropës, ka thënë Isufi.
Ndërsa, përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari ka falënderuar të gjithë ata që po bëjnë homazhe të varret e të rënëve për lirinë e Kosovës.
I falënderojë të gjithë shqiptarë, të gjithë përfaqësuesit e institucioneve që në ditët e veçanta përkujtojnë njerëz të veçantë. Urojmë dhe shpresojmë që edhe ne si brez të kryejmë detyrën tonë dhe këtë liri që sot po e gëzojmë ta shndërrojmë në një shtet funksional, ka thënë nipi i komandantit, Murat Jashari.
Të rikujtojmë që edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, edhe delegacioni i AAK-së, kanë vizituar edhe familjen Jashari. / Kosovapress