E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kenia njeh Kosovën si shtet të pavarur – Lajmi bëhet i ditur nga Pacolli dhe konfirmohet nga presidentja Osmani

Kosova është njohur zyrtarisht si shtet i pavarur dhe Sovran nga Republika e Kenias, lajmi u bë fillimisht i ditur nga kryetari i aleancës Kosova e Re Behxhet Pacolli, i cili është prej vitesh është angazhuar për të bindur shtetin afrikan për një lëvizje të tillë.

“17 vite pas shpalljes së Pavarësisë, në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme, Republika e Kenias, një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës, njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran! Kjo njohje nuk është thjesht një deklaratë, por është edhe një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, është zëri i lirisë sonë që dëgjohet thellë në zemrën e Afrikës! Sot, flamuri ynë i shtetit ngrihet lart me krenari në Nairobi ”, shkruan Pacolli në një postim në rrjetin social Facebook, ku më tej i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që të vendosë menjëherë marrëdhënie diplomatike me Kenian dhe të hapë një ambasadë të përbashkët me Shqipërinë në kryeqytetin e vendit afrikan.

Lajmi për njohjen e Kosovës nga Kenia u konfirmua nga presidentja Vjosa Osmani e cila bëri të ditur se vendimi i nënshkruar nga presidenti i Kenias, Ulliam Ruto i është dërguar në presidencë.

“Kjo njohje është një dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme për të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial. Njëkohësisht është edhe njohje e vuajtjeve të gjata e sakrificës shekullore të popullit të Kosovës për liri”, u shpreh Osmani.

Gazetare: E. Pepa

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›