Shtohen rastet me epilepsi në vend, shkak sëmundjet e ndryshme si dhe përdorimi i drogave dhe alkoolit

Shtohen rastet me epilepsi në vendin tonë. Sipas incidencës së vendeve të ngjashme me Shqipërinë, prekja e kësaj sëmundje shkon nga 50-70 të sëmurë për 100 mijë banorë dhe përfshin të gjitha moshat.
“Është një çrregullim i trurit që ka një predispozicion të shtuar dhe të qëndrueshëm për të gjeneruar konvulsione. Këto janë disa episode janë tranzitore me një ekzacerbim të korës së trurit përgjithësisht dhe që manifestohet së jashtmi pikërisht me këto lëvizje të pavullnetshme të trupit. Epilepsia në vetvete është prania e këtyre konvulsioneve të përsëritura në kohë”, u shpreh Pavllo Djamandi, neurolog në QSUT.
Epilepsia mund te jetë e trashëgueshme por edhe e fituar për shkak të ndikimit të disa sëmundjeve apo veseve të fituara gjata jetës.
“Është multifaktoriale, që nga dëmtimet strukturore të trurit që mund të jenë të lindura ose të fituara, ndryshimet metabolike që mund të ndodhin, infeksionet e ndryshme, toksinat e ndryshme, tumoret, të gjitha këto mund të pasojnë me atake epileptike. Gjithashtu ndikojnë edhe kushtet e tjera të fituara siç është përdorimi i drogave dhe alkoolit dhe në moshat e rritura kemi sëmundjen e diabetit me ndryshimet e glikemisë apo ato qe ne i quajmë strok, ishemi cerebrabrale apo tumoret e trurit”, tha mjeku.
Por cilat janë shenjat që manifeston një krize epileptike?
“Zakonisht në sekonda dhe minuta. Në pjesën më të madhe mund të pasohet më një gjendje konfuzionale më pas si mosnjohja e ambientit, individëve, mund të shoqërohet me kafshim të buzës ose shkumë nga goja, ose hipersalivacioni siç quhet ndryshe. Ndonjëherë shoqërohet edhe çlirim të urinës ose defekim të pavullnetshëm“, tha Djamandi.
Por si mund ndihmohet një person në krizë?
“Familjarët duhet të jenë të kujdesshëm për ta vëzhguar dhe për ta detektuar në kohë një krizë epileptike për ti dhënë ndihmën e parë. Të mos përdorin metodat e dhunshme për ti hapur gojën e për ti nxjerrë gjuhën siç ndodh zakonisht”, tha neurologu.
Epilepsia mbetet një sëmundje e vështirë në trajtim dhe kërkon shumë suport nga familjarët.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/