"Këpuca e Artë", këtë sezon e pastër
Ndryshe nga sezonet e tjera, ku ishim mësuar të shihnim goleada në dy javët e fundit, ashtu siç ndodhi edhe vjet me Roland Dervishin dhe Endri Bakiun, teksa shënonin nga 4 gola për ndeshje në luftë për t'u shpallur golashënuesi më i mirë, në këtë fund sezoni duket se do të jetë ndryshe. Golashënuesi më i mirë për momentin është Migen Memelli i Flamurtarit me 19 gola, ku pesë nga këto i ka shënuar me 11-metërsh. Ndjekësi më i afërt është Popoviç i Kukësit me 12 gola dhe nga 11 gola ka Muzaka dhe Pejiç. Në tri javët e mbetura, të paktën praktikisht duket e pamundur që një sulmues të shënojë 7 apo 8 gola për të arritur Memellin, pa harruar që ky i fundit mund të shënojë edhe vetë. 99% ai është fituesi i "Këpucës së Artë", duke kthyer kështu legjimitetin e këtij trofeu të vogël, pasi vjet me vendim të Komisionit të Etikës iu hoq Dervishit, sepse golat ishin fiktivë dhe të lënë. Dyshja sulmuese e Flamurtarit, Memelli-Muzaka ka shënuar 30 gola.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)