E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukësi-Flamurtari, i vetmi duel i vërtetë

Kur mbeten edhe 21 ndeshje në Kategorinë Superiore, shumë pak sfida paraqesin interes. I vetmi duel që ia vlen të shihet dhe që nuk mund të ketë kompromis dhe tolerim është takimi Kukësi-Flamurtari, kjo për nga vetë renditja dhe nga synimi që kanë dy skuadrat. Kukësi ka 43 pikë në renditje, Flamurtari 42 dhe Teuta 42. Nëse verilindorët mbajnë të paktën barazimin, mbesin 1 pikë para Flamurtarit dhe duke parë që janë dy sfidat e fundit, askush nuk beson më se Kastrioti apo Skënderbeu në epilog në Kukës mund të fitojë apo ta ndalë Kukësin në barazim. Realisht, nëse do të kishte garë të ndershme, me interes do të ishte çdo sfidë, përfshi edhe ndeshjet e Tiranës. Duket se kampionati do të mbarojë nesër, flasim për shpalljen kampion të Skënderbeut dhe për të mësuar dy vendet më pas, që të çojnë në Europë. Në dy javët e mbetura, mbeten për t'u parë vetëm çdo të bëjë Besa dhe Shkumbini sa i takon luftës për mbijetesë.
KUKËSI-FLAMURTARI
As tifozi më i thekur vlonjat nuk do të kishte vënë bast në fillim të sezonit se dalja në Europë do të diskutohej me Kukësin. Por ja që realiteti kështu është. Vlonjatët besojnë, por shifrat janë kundër. Kukësi nuk është mundur në asnjë ndeshje në shtëpi sa i përket kampionatit, ndërkohë që pas ndeshjes me Besën kanë filluar lajmërimet për të ftuar tifozët, sepse vendësit e quajnë ndeshje historike. Presidenti Safet Gjici ka bërë gati premion për këtë takim, që shkon në 20 milionë lekë të vjetra. Nga ana tjetër, "Flota Kuqezi" ka premtuar se do të jetë në stadiumin e Kukësit, duke dashur të festojnë edhe ata. Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, ua ka lënë në dorë gjithçka futbollistëve, duke besuar se ata mund të fitojnë.
TOLERIMET
Sa u përket ndeshjeve të tjera në javën e 24-t, Teuta, që do një vend në Europë, do të udhëtojë në Ballsh për t'u ndeshur me Bylisin. Besa dhe Shkumbini të rrezikuar do të kenë dy transferta, përkatësisht në Shkodër dhe Laç. Në kushte normale, pra, nëse nuk do të ishim në fund të sezonit, fitorja e Teutës, Besës dhe e Shkumbinit do të quhej deri diku surprizë, ndërsa nesër mund të fitojnë të tre ekipet dhe nuk do t'i duket habi asnjërit. Sfida të ngjashme si këto do të ketë edhe në dy javët e fundit. Ndërsa Skënderbeu pritet nesër të festojë. Për fatin e keq të korçarëve, ndeshja e fundit e sezonit nuk është në fushën e tyre, por në Kukës, ku besohet se nuk do të bëjnë rezistencë. Ndoshta reduktimi i skuadrave, nga 14, në 12 sezonin e ardhshëm apo në 10 një sezon më vonë, do të sjellë më shumë konkurrencë dhe natyrisht që në fund me siguri do të kemi më pak tolerime dhe jo si në këtë sezon, që në 4 javët e fundit ndeshjet që mund të ndiqen me interes numërohen me gishtat e një dore. Duhet të presim fundin e gushtit për të parë startin e sezonit të ri, ku sidomos sfidat e para janë të bukura për t'u ndjekur, aq më tepër kur në Superligë rikthehet edhe Partizani.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›