Keq në tetor
Stërzgjatja e procesit zgjedhor, mungesa e ligjit të duhur të prokurimit, luftimi i krimit dhe korrupsionit, mungesa e zbatimit të vendimeve gjyqësore, fuqizimi i Ombudspersonit, mungesa e Ligjit për financimin e RTK’së, dhe e Ligjit për OJQ, janë dështimet e institucioneve të Kosovës që do të hyjnë në Raportin e ardhshëm të Progresit.
Këto dështime të institucioneve të Kosovës i ka numëruar në Prishtinë, të premten, Drejtori për Ballkanin në Komisionin Europian, Pierre Mirel.
Mirel ka përmendur edhe pak të arritura të Qeverisë së Kosovës, duke numëruar dialogun me Serbinë, regjistrimin e popullsisë dhe konkurrencën e lirë në treg.
Këto komente, Mirel i ka bërë para zyrtarëve të institucioneve të Kosovës në kuadër të Takimi të II’të Plenar në Dialogun e Procesit të Stabilizim-Asociimit.
Katër muaj para publikimit të Raportit të Progresit, Mirel ka dhënë paralajmërime aspak optimiste rreth përmbajtjes së tij.
“Unë do të përmend se do të kemi fare pak progres për të raportuar në Raportin e ardhshëm të Progresit, duke marrë parasysh që Qeveria s’ka pasur aq shumë kohë për të punuar në reformat e kërkuara, e që i kemi diskutuar herën e kaluar”, ka thënë Mirel.
“Natyrisht, fuqizimi i sundimit të ligjit mbetet akoma sfidë në Kosovë si edhe në vendet e tjera të rajonit”, ka shtuar ai.
Pikërisht për shkak të zhvillimeve politike të vitit të kaluar, sipas Drejtorit për Ballkanin në Komisionin Europian, Pierre Mirel nuk ka mundur të ketë progres më të madh në Kosovë.
Megjithëkëtë, Mirel thotë se dyfishimi angazhimit të institucioneve të Kosovës ka mundësi që të ndikojë në përmirësimin e vlerësimeve të Raportit të Progresit.
Por, ai ka dhënë porosi të qartë në Prishtinë.
“Edhe Qeveria, edhe Parlamenti të vazhdojnë t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre në miratimin e ligjeve shumë të rëndësishme”, ka deklaruar ai.
Kryeministri Hashim Thaçi ka premtuar para zyrtarit të BE’së se Kosova do t’i përmbushë obligimet për integrimin në BE.
“Ne do të vazhdojmë zbatimin e agjendës europiane, pa lëvizur asnjë milimetër prapa në reformimin dhe avancimin e shtetit të Kosovës, me një qëllim të vetëm, arritjen e standardeve europiane në të gjitha fushat e qeverisjes dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve”, ka thënë Thaçi.
Megjithëkëtë, Mirel ka kërkuar punë konkrete nga Qeveria e Kosovës, duke filluar nga miratimi dhe amandamentimi i Ligjit për prokurimin publik, Ligjin për RTK’në, Ligjin për OJQ’të, fuqizimin e prokurorive dhe gjykatave si dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore.
“Rreth 45 për qind e vendimeve të gjykatave mbeten të pazbatuara, prandaj duhet të përmirësohet zbatimi i vendimeve të gjykatave. Ne presim që gjykatat dhe prokuroritë të performojnë më mirë dhe vitin e ardhshëm, presim rezultate më të mira të regjistruara. Presim të kemi aktivitete më të shtuara policore kundër grupeve të ndërlidhura me krimin dhe drogën. Të gjitha këto aktivitete policore duhet të ndikojnë në punën e gjyqësorit, të cilat më pastaj çojnë në një sundim më të mirë të ligjit”, ka këshilluar Mirel
Ai ka thënë se BE’ja është duke monitoruar draftimin e ligjeve dhe miratimin e tyre në Qeveri dhe Kuvend.
“Ne kemi prekur Ligjin për prokurimin publik dhe kemi vënë theks të veçantë në të, sepse është ligj shumë me rëndësi për vlerën e parasë, për transparencë, për luftë kundër korrupsionit. Pastaj, edhe Ligji për financimin e RTK’së dhe Ligji për OJQ, ku na u tha se do të jetë shpejt i miratuar, besoj përpara Raportit të Progresit”, ka shtuar ai.
Përfaqësuesi i BE’së për vendet e Ballkanit ka paralajmëruar se vendet e Unionit janë duke diskutuar mundësinë e bashkëpunimit me Prishtinën në programet e komunitetet, ku Kosova do të mund të përfitonte fonde shtesë.
“Komisioni Europian është i përkushtuar që të mbështesë Kosovën dhe se vizitat që keni pasur gjatë këtyre muajve të Baroneshës Ashton, Barrosos, Fules është një tjetër dëshmi e kësaj mbështetjeje. Komisioni ka propozuar në Këshill, por edhe në Parlamentin e vet të ketë një marrëveshje formale me Kosovën që t’i mundësonte Kosovës që të marrë pjesë në programet e komunitetit”, ka premtuar Mirel.
Sikurse Baronesha Ashton dhe Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Baroso, edhe Mirel ka përmendur se Shteti i ri e ka vendin në BE.
“Kosova ka një të ardhme europiane. Kjo është e vërtetë, prandaj reformat sipas agjendës europiane janë tejet të rëndësishme. Reformat janë të rëndësishme kryekëput për qytetarët e Kosovës. Këto janë të rëndësishme për Kosovën që të ndërtojnë një shoqëri demokratike dhe prosperuese”, ka theksuar Mirel.
Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku është zotuar se Qeveria e Kosovës do të mundohet t’i përmirësojë të gjitha vërejtjet që i ka adresuar BE’ja.
“Kemi shënuar progres. Ende ka kohë për të përmbushur agjendën europiane”, ka thënë kjo zyrtare.
Përgjegjësja e Qeverisë së Kosovës për integrime europiane ka deklaruar se duhet punuar në kompensimin e kohës së humbur në procesin elektoral.
Ndryshe, Ministrja Çitaku ka premtuar se Qeveria e Kosovës do ta lexojë dhe analizojë drejt Raportin e ardhshëm të Progresit, ku do t’i ndajnë detyrat për përmbushjen e detyrave që parashtrohen.
“Sa më afër BE’së të jetë Kosova, aq më shumë rriten kërkesat e BE’së në raport me Kosovën. Sa më shumë që të rriten kapacitetet tona, aq më të mëdha do të jenë kërkesat e BE’së në raport me Kosovën”, ka thënë ajo.
Sa i përket liberalizmit të vizave për Kosovën, Ministrja Çitaku ka premtuar se posa të marrin udhërrëfyesin nga BE’ja, në afat rekord, qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza nëpër vendet e Unionit.
Mirëpo, Mirel ka thënë se paraprakisht Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë nga BE’ja ekipin e ekspertëve për të vlerësuar progresin e arritur.
“Mbi këtë bazë, mendoj do t’i mbetet Qeverisë që të kërkojë që t’i dërgohet një mision teknik i ekspertëve, i cili është bërë edhe më parë, ne do ta dërgojmë atë mision dhe atëherë kur do të kemi reagime pozitive, pas këtij misioni në bazë të raporteve që do të zhvillojmë atje, ne do të propozojmë nisjen e këtij dialogu, siç e ka thënë dhe e ka premtuar Presidenti Baroso”, ka thënë Mirel.
Sikurse Ministrja Çitaku, edhe Mirel ka thënë se miratimi i Ligjit për riatdhesimin e personave të kthyer nga vendet e BE’së dhe formimi i zyrave komunale për t’i pranuar ata – janë veprime që do të ndikojnë në përshpejtimin e liberalizimit të vizave.