Shembet një shtëpi në qendër të Mitrovicës
Një shtëpi banimi në qendër të Mitrovicës është shembur të premten, por fatmirësisht nuk ka të lënduar. Deri te shembja e shtëpisë ka ardhur kur fqinji kishte filluar ndërtimin e shtëpisë së re, duke gërmuar në thellësi, ndërsa dyshohet se shembjes i ka kontribuuar edhe shiu që ka rënë ditëve të fundit.
Pronari i shtëpisë, Esat Llapashtica ka thënë se kishte paralajmëruar fqinjin për rrezikun e shembjes së shtëpisë, por ky i fundit kishte vazhduar punën.
“Dy ditë më herët kam vërejtur se muret e shtëpisë kanë filluar të çahen, andaj nuk kemi guxuar të vazhdojmë të qëndrojmë aty. Nuk e di se çka do të ndodhë në të ardhmen, por unë do t’i drejtohem gjykatave”, tha ai.
Në anën tjetër, Bashkim Musaj, i cili kishte hapur themelet për ndërtimin e shtëpisë së re, ka thënë se në gjithë këtë fatkeqësi, është fat i madh që nuk është lënduar askush.
“Jam i gatshëm që në çdo formë të bëjë kompensimin e shtëpisë së fqinjit tim, që tani është rrëzuar”, ka thënë Musaj, duke shtuar se fati i tij i keq ishte se kushtet atmosferike nuk e kishin lejuar të vazhdonte punën, sepse për çdo ditë binte shi, duke kërcënuar në këtë mënyrë shtëpinë e fqinjit derisa ajo u rrëzua.
Musaj rrëfen se si ai dhe fqinji i tij ditë më parë kanë arritur një marrëveshje me një kompani ndërtimi në Mitrovicë që të rrënojë edhe shtëpinë e fqinjit, në mënyrë që aty të ndërtohet një objekt banimi i lartë, por siç tha ai, tani ndryshoi gjithçka.
Ndërkaq, Esat Llapashtica ka mohuar të ketë pasur ndonjë marrëveshje për rrënimin e shtëpisë.
Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë për Inspeksion në Komunën e Mitrovicës, Lulzim Zeqiri, sqaroi se ditë më parë inspeksioni i ka kërkuar Musajt që të ndalojë gërmimin, por ky i fundit as që ua ka vënë veshin.
Numri një i inspekcionit në Mitrovicë ka theksuar se tërë dokumentacioni i inspektorëve të ndërtimit i është dorëzuar policisë, ndërsa në marrëveshje me pronarin e shtëpisë së rrëzuar, ajo do të rrënohet tërësisht për shkak të rrezikut që paraqet për qytetarët.
Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Nysret Mehmeti, tha se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe se është duke bërë hetimet në lidhje me rastin.
“Nuk kemi të lënduar, ndërsa që dëmet janë të konsiderueshme”, u shpreh Mehmeti. (KosovaPress)