Pikniku tragjik
Zia kishte pllakosur të premten familjen Zeneli nga fshati Plluzhinë i Skenderajt.
Burrat ishin mbledhur para shtëpisë. Ata po prisnin trupat e vdekur të Mehremes (34) dhe Ermalit (12), që po vinin nga Italia, për t’i varrosur në varrezat e fshatit, pak metra larg shtëpisë.
Në shtëpinë ku deri para katër muajsh Mehremja kujdesej për tre fëmijët e saj, ishte mbledhur i gjithë farefisi, i tronditur nga lajmi i dy ditëve më parë, kur nënë e bir u mbytën në lumin Oglio, në rajonin e Bergamos, në Itali.
Behxhet Zeneli, i cili humbi gruan dhe djalin, në Itali punonte tash tetë vjet. Së bashku me dy fëmijët e tjerë, ai kishte marrë rrugën drejt vendlindjes, në një ditë të dhembshme për të.
Behxheti nuk mundi të nisë jetën e re me familjen e tij në Itali, ashtu siç e kishte planifikuar vite me parë. Vetëm katër muaj pasi ai vendosi që të marrë me vete gruan dhe tre fëmijët, i ndodhi një fatkeqësi e rëndë. “Kam humbur gruan dhe djalin përnjëherë. Kjo është një fatkeqësi që nuk mund të përshkruhet”, tha Behxheti për Express.
Atë e mundon shumë fakti që, ditën kur ndodhi fatkeqësia, ai nuk ndodhej pranë djalit dhe gruas të tij. “Atë ditë unë isha në punë, sepse punoj si murator. Vëllai im, që jeton me mua atje, vendosi që pikërisht atë ditë ta dërgojë familjen time në piknik, afër një lumi”, rrëfen Behxheti.
Ishte pikërisht ky lumë që ia mori jetën gruas dhe djalit të tij. “Dy djemtë e mi janë futur për t’u larë në të. Nga vërshimet e mëdha, uji ka filluar t’i marrë me vete. Në atë moment ka kërcyer gruaja në ujë, për t’i shpëtuar fëmijët, kurse pas saj është hedhur vëllai im”, rrëfen Behxheti versionin e ngjarjes, siç ia ka treguar i vëllai.
Po të mos ishte vëllai i tij aty atë ditë, Behxheti thotë se do ta humbiste edhe djalin tjetër. “Jam i lumtur që vëllai im, bile njërin djalë ka arritur ta shpëtojë”, pohon ai.
Tash Behxhet Zeneli ka mbetur i vetëm, me një vajzë dhe një djalë, të cilët shpëtuan në momentin e fatkeqësisë. Ai nuk e di nëse do të ketë më vullnet të kthehet në Itali, pasi thotë se nuk mund të durojë faktin që pikërisht ai vend ua mori jetën më të dashurve të tij. “Nuk e di nëse do të mund të shkoj prapë atje. As unë, e as fëmijët e mi nuk do të mund të durojmë kur çdo ditë duhet ta shohim vendin, i cili ia mori jetën nënës dhe vëllait të tyre”.
Megjithëse ka pësuar një humbje të rëndë në familjen e tij, Behxheti thotë se do të gjejë forcë të përballet me çdo gjë, vetëm e vetëm që të jetë një baba i mirë për fëmijët e tij, që tashmë kanë mbetur pa nënë. “Po gjej forcë që të përmbahem për shkak të fëmijëve, vajzës edhe djalit. Po e shoh që janë mërzitur shumë. Do të mundohem që të jem pranë tyre gjithmonë”, thotë Behxheti.