Keq për Kosovën

Katër vende të rajonit – Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia duhet të angazhohen më shumë për të garantuar zbatimin efektiv të ligjeve antikorrupsion. Kështu thuhet në raportin e fundit të Transparency International, të publikuar të martën.
Në raport u bëhet thirrje qeverive të këtyre vendeve për të ndërtuar kapacitetin e domosdoshëm dhe për të përmirësuar qeverisjen në institucionet kyçe.
Për Kosovën thuhet se numri i vogël i gjykatësve dhe mungesa e mbështetjes teknike, si dhe mungesa e profesionalizmit, janë çështjet thelbësore që karakterizojnë sistemin e drejtësisë. “Shërbyesit civilë nuk janë të stërvitur sa duhet, ndërhyrja politike në procesin e rekrutimit është jashtë kontrollit dhe pagat e ulëta pengojnë joshjen e personelit të kualifikuar”, thuhet në raport. Më tej saktësohet se mbi të gjitha ka mungesë të transparencës në prokurimin publik, gjë që ka ngritur dyshime për korrupsion mbi një numër kontratash të nënshkruara së fundmi.
”Parlamenti, gjithashtu, përballet me vështirësi në përmbushjen e rolit mbikëqyrës që ka ndaj qeverisë, për shkak të mungesës së kapacitetit në personel. Pamundësia e medias dhe shoqërisë civile për të monitoruar Qeverinë dhe Presidencën e Kuvendit gjithashtu paraqet problem”, thuhet në këtë dokument.
Gjetjet e raportit flasin se pavarësisht kornizave ligjore të miratuara, ka mungesë përparimi në zbatimin e ligjeve antikorrupsion dhe në sanksionimin e atyre që nuk i përmbushin detyrimet. Kështu, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Turqia duhet të angazhohen më shumë për të garantuar zbatimin efektiv të ligjeve antikorrupsion, thuhet në raport. Raporti mban titullin “Kërkesat antikorrupsion të BE-së: Matja e përparimit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Turqi”.
Në raport, gjithashtu, u bëhet thirrje qeverive të këtyre vendeve për të ndërtuar kapacitetet e domosdoshme dhe për të përmirësuar qeverisjen në institucionet kyçe.
"Duke siguruar zbatimin e reformave të pakthyeshme antikorrupsion, mundësohet edhe një proces qenësor i anëtarësimit dhe një qasje e njëjtë ndaj korrupsionit në gjithë Evropën”, ka thënë Jana Mitermajer, udhëheqëse e Zyrës Ndërlidhëse e Transparency International në Bashkimin Evropian.
Gjetjet e raportit flasin se pavarësisht kornizave ligjore të miratuara, ka mungesë përparimi në zbatimin e ligjeve antikorrupsion dhe në sanksionimin e atyre që nuk i përmbushin detyrimet.
Sa për Shqipërinë, thuhet se hendeku i vazhdueshëm ndërmjet partive politike ka ngrirë reformat e rëndësishme në dy vitet e fundit. Sistemi i drejtësisë ka nevojë për reformim për të siguruar pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e gjykatësve.
Për Maqedoninë, ndërkaq, raporti vlerëson se ka probleme të theksuara në ndërhyrjen politike ndaj shkarkimit të gjykatësve, emërimit dhe shkarkimit të shërbyesve civilë, qasjes në informata dhe zbatimit të procedurave të prokurimit publik. E për Turqinë, raporti vë në dukje se problemi kryesor ka të bëjë me rekrutimin, emërimin dhe promovimin e gjykatësve, me gjithë përmirësimet që janë bërë së fundmi në ligjet aktuale.