E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kusari-Lila assesi të mbajë premtimin

Nga Express më 21 qershor 2011 në ora 20:16

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja për Tregti dhe Industri, Mimoza Kusari-Lila vazhdon të mos qëndrojë prapa deklaratave të saj të dhëna më herët.

Derisa fillimisht pati deklaruar se do të aplikohen masat e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, Kusari-Lila më vonë ka ndryshuar qëndrimin, duke thënë se do të vihet një taksë prej 10 për qind, kurse tashmë masat ndaj Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës i ka shtyrë për në muajin korrik.

Ministrja Kusari-Lila është përballur të martën me komisionin Komisionin Parlamentar për Tregti, me ç’rast ka thënë se shtyrja e masave ka ardhur për shkak të diskutimeve që kanë ndodhur me Bashkimit Evropian dhe jo ato me Serbinë.

“Kjo nuk ka qenë një shanse ndaj Serbisë, por ka qenë në një mënyrë një paraqitje e Kosovës para institucioneve të Bashkimit Evropian, të cilat kanë kërkuar edhe një afat kohor siç është korriku”, është arsyetuar ministrja.

Të përballur me bllokadë për eksportimin e mallrave të tyre, prodhuesit vendorë ka disa vite që kërkojnë nga institucionet e Kosovës ndërhyrje për të mbrojtur prodhimet vendore dhe në këtë rrafsh fillimisht të aplikohen masa reciprociteti me Serbinë dhe me Bosnjën për sa i përket embargos së tyre.

Por pasi ka ndryshuar premtimet e saj zëvendëskryeministrja, Mimoza Kusari-Lila tani nuk ka dhënë ndonjë datë të saktë se kur do të vihen masat e reciprocitetit apo taksa. Ajo nga premtimi se në muajin qershor do të aplikohen masat e reciprocitetit, tani thotë se kjo mund të ndodh nga mesi i muajit korrik.

“Nuk po them data, por është paraparë mesi i korrikut. Por nuk jemi duke pritur aq shumë në vullnetin e Serbisë duke e ditur vullnetin e Serbisë kjo nuk do të ndodhte kurrë. Por është kushti që iu është dhënë Serbisë nga ana e Bashkimit Evropian. Prandaj në këtë aspekt nuk është palë Serbia janë institucionet e BE-së”, ka deklaruar ajo.

Mirëpo, opozita kritikoi zvarritjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë. Anëtari i këtij komisioni, Visar Ymeri ka thënë se këto masa është dashur të vihen, sepse Serbia këto masa ndaj Kosovës i ka vënë qysh moti.

“A mendoni ju sikurse që mendoj edhe unë që do të kishte qenë shumë më mirë të vihen masat e reciprocitetit gjë që ka bërë Serbia që tri vite”, ka thënë Ymeri.

Ndryshe që nga mbarimi i luftës, për shkak të rrethanave të njohura Kosova ka importuar shumicën e mallrave nga Serbia, e cila i ka bërë bllokadë të plotë Kosovës. Kjo situatë ka bërë që bizneset vendore mos të kenë lidhje të forta bashkëpunuese me shtetet tjera dhe mos të kenë mundësi eksporti. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›